Arbëri

Profesori Veton Latifi dhe Universiteti i Oksfordit propozojnë zgjidhjen për emrin e Maqedonisë

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dr. Veton Latifi dhe ekspertja e Universitetit të Oksfordit, Dr. Kalypso Nicolaidis kanë publikuar platformën nëpërmjet së cilës tentohet t’i jepet përgjigje dilemës rreth emrit të ri të Republikës së Maqedonisë, që në skenën ndërkombëtare aktualisht njihet si ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (IRJM). Modeli i propozuar është prezantuar edhe tek institucionet e BE-së.

Çështja e emrit sipas autorëve, ka ndikuar jo vetëm në marrëdhëniet e saj me Greqinë, por edhe në stabilitetin në Ballkan që nga viti 1991.

“Derisa Republika e Maqedonisë (ose IRJM) e promovon parimin intuitiv se shtetet duhet ta zgjedhin vetë emrin, grekët kanë shqetësime legjitime rreth identitetit, historisë dhe gjeopolitikave. Besojmë se sot ekziston dritarja e mundësisë për zgjidhjen e këtij kontesti. Si Qeveria greke, ashtu edhe ajo maqedonase janë të përkushtuara për një zgjidhje, prandaj, mbase edhe mbrojtjen në shtetet e tyre, të kompromiseve që do të përmbante ajo zgjidhje”, shkruajnë autorët në fillim të asaj që ata e quajnë model i zgjidhjes së kontestit të emrit dhe të negocimit.

Palët, sipas autorëve duhet ta nisin me një rrëfim të qartë – se ky është një rajon i përbashkët, i trashëguar nga periudha para asaj të “shtetit komb”.

“Një gjë e tillë nuk është kundërthënëse. Konkretisht, ‘Maqedonia’ nuk është emër i brendit, por rajon me kufij lëvizës gjatë shumë shekujve. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me aspektet teknike të ndarjes së një rajoni (që shtrihet në shumë shtete) dhe një shteti. Konflikti fillestar midis dy shteteve mund të përmblidhet si përpjekje e dy palëve për “monopol mbi identitetin”. Emërimi i shtetit vetëm Maqedoni, nga grekët u perceptua si privim i identitetit të tyre maqedonas. Përgjigjja greke se nuk duhet të ketë fare “Maqedoni” në emrin e fqinjit të tyre verior, paraqet po ashtu një përpjekje të qartë për ta monopolizuar identitetin maqedonas për Greqinë. “Maqedonia” nuk duhet të monopolizohet si tregues identiteti për asnjë nga shtetet e atij rajoni. E vërteta rreth kësaj çështjeje është se identitetet nacionale nuk zbresin nga qielli. Ato konstruktohen, si të gjitha fenomenet sociale. Pra, ky rrëfim ka të bëjë me një identitet kolektiv, ndonëse fluid, që duhet të jetë i përbashkët si për qytetarët që mund të zgjedhin ta quajnë veten si të duan, ashtu edhe për shtetet e tyre gjegjëse”...

Shkrimin e plotë të autorëve Veton Latifi dhe Kalypso Nicolaidis, botuar në “Koha Ditore”, mund ta lexoni në linkun e mëposhtëm

Zgjidhja e kontestit rreth emrit të Maqedonisë: Mundësi për njohje transformuese reciproke