Arbëri

SHBA mirëpret marrëveshjen mes Qeverisë së Kosovës dhe Contour Global

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, përmes një deklarate për media thotë se marrëveshja e djeshme mes Qeverisë së Kosovës dhe Contour Global, paraqet një hap shumë të madh drejtë sigurisë energjetike në Kosovë.

Kësisoj, Ambasada e mirëpret nënshkrimin e kësaj marrëveshje.

“Pasiguria energjetike është një nga pengesat më të mëdha të Kosovës për zhvillimin e saj ekonomik. USAID-i ka porositur studime që kanë përllogaritur se humbjet ekonomike të Kosovës shkojnë në 300 milionë Euro në vit për shkak të furnizimit të pasigurt me energji elektrike”, thuhet në komunikatën e ambasadës.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka punuar me Kosovën që nga viti 2003 që t’ia sigurojë asaj të ardhmen energjetike, dhe ka përkrahur përsëritje të ndryshme të këtij projekti që nga viti 2006.

SHBA beson se projekti “Kosova e Re” do të përmbushë standarde të rrepta evropiane për efektshmëri dhe emisione, dhe do të jetë në përputhshmëri me studimet e Bankës Botërore që tregojnë se thëngjilli është opsioni më i përballueshëm për Kosovën.

“‘Kosova e Re’ po ashtu do të mundësojë që më shumë burime të energjisë së ripërtëritshme të integrohen në sektorin e energjisë në kuadër të përkushtimit të Kosovës për përdorim të 25% të energjisë së ripërtëritshme deri në vitin 2020, dhe për mbylljen përfundimtare të termocentralit ‘Kosova A’, dhe me këtë zvogëlimin e mëtutjeshëm të emisionit të karbonit në Kosovë. Kur të përfundohet, ‘Kosova e Re’ do të jetë investimi më i madh i huaj privat në historinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.