Arbëri

Mustafa Nano: Vuçiq, politikan më profesionist se Rama

Në një intervistë për të përditshmen serbe “Danas”, që sot i transmeton gazeta MAPO (dje Koha.net transmetoi pjesë nga kjo intervistë e tij në “Danas” të Beogradit - /) Nano ka folur për marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, çështjen e Kosovës dhe krimet e kryera nga pala serbe, dëmin që elitat e të dy vendeve i kanë bërë shoqërive respektive, projektet për Serbinë dhe Shqipërinë e Madhe.

I pyetur nëse beson se Beogradi zyrtar do të kërkojë falje, analisti shqiptar ka thënë se nuk pret që kjo ndjesë të kërkohet sot. Sa i përket të dy liderëve që duket se po shënojnë një epokë të re në marrëdhëniet mes dy shteteve, Nano ka quajtur Vuçiqin politikan më profesionist se Rama

-Pikëpamjet si të zyrtarëve serbë ashtu edhe atyre shqiptarë janë qartësisht të kundërta kur bëhet fjalë për çështjen e Pavarësisë së Kosovës. A jeni gjithashtu ju dhe Zoran Panoviq në anë të kundërta sa i përket kësaj çështjeje?

M. Nano: Unë do kisha dashur të flisnim edhe për këtë gjë, madje të flisnim hapur, me zemër në dorë (siç themi në gjuhën shqipe). Edhe Zoranin, në takimin që kam pasur me të në Tiranë, e kam parë të hapur ndaj diskutimit mbi Kosovën. Por në fund, edhe pse nuk ka pasur ndonjë ujdi mes nesh për t’i qëndruar larg kësaj çështjeje, kjo e fundit ka mbetur ‘The elephant on the room’.

-Kur flisni me kolegun tuaj, Panoviq, a e dalloni qëndrimin zyrtar serb në pikëpamjet e tij, që do të thotë a gjeni deklarata të mbështetura nga zyrtarët shqiptarë në tuajin?

M. Nano: Jo, nuk e kam parë Zoranin të bërë njësh me qëndrimin zyrtar të Beogradit. Përkundrazi. Për sa i takon Kosovës, midis rreshtave kam pikasur një qëndrim disi kritik të Zoranit ndaj zërave që përpiqen të mbajnë gjallë iluzionin se asgjë nuk ka ndryshuar, se Kosova do të mbetet e Serbisë. Ndërsa unë nuk jam ndalur te kjo çështje.

-Në një prej artikujve që shkruat brenda programit të letërkëmbimit me kolegun tuaj serb, se elitat tona kulturore dhe intelektuale, si e tërë, në kulturat tona kombëtare, kanë helmuar shoqëritë tona me krenari boshe, gënjeshtra, fanatizëm, urrejtje. A është e mundur të advokoni një paralele të tillë, duke pasur parasysh përvojën që kemi në lidhje me sjelljen represive të Serbisë kundrejt Kosovës në dekadat e fundit?

M. Nano: Sipas meje, elitat shqiptare kanë bërë dëm më pak në Ballkan, por kjo ka ardhur prej pafuqisë, e jo prej ndonjë disponimi më të fisëm. Sepse në thelb elitat tona kanë qenë të njëjta: u ka interesuar propaganda, dhe jo e vërteta, kanë pasur frymë të pazhvilluar autokritike, kanë qenë të lidhura me qendrat e pushtetit etj.

Kur them sa më sipër, unë nuk harroj, sidoqoftë, që serbët u zgjuan kulturalisht më herët (kur ju nxirrnit një intelektual të klasit të parë si Vuk Karaxhiq, ne shqiptarët ishim ende në gjumin osman), që elita serbe ka qenë më e sofistikuar në terma akademikë (ju nxorët një intelektual antikonformist si Ilarion Ruvarac në një kohë që ethja e nacionalizmit serb ishte në kulmin e vet), dhe që pionierët e kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XIX e merrnin frymëzimin edhe prej vibrimit intelektual serb të asaj periudhe.

-Si i shihni marrëdhëniet mes Vuçiqit dhe Ramës? A është raporti i tyre vërtet fillimi i një epoke të re mes dy shteteve apo jo? Cilin nga të dy, në këtë marrëdhënie, e shihni si individ më pozitiv?

M. Nano: Këta të dy duket se kanë një kimi në marrëdhënien mes tyre. Por për të sjellë një erë të re në marrëdhëniet mes dy kombeve tona nuk mjaftojnë dy persona, të cilët pas ca vitesh nuk do të jenë më kryeministra e presidentë. Duhet një komunikim në stil e front të gjerë mes dy kulturave tona.

Lidhur me fundin e pyetjes suaj, nuk di ç’të them. Unë njoh mirë Ramën, i cili më duket ca si shumë over the top, dhe i dhënë më shumë pas formës e stilit sesa pas përmbajtjes, gjë që, sipas meje, nuk është cilësi e mirë për një politikan. Ndërsa Vuçiçi më duket një politikan më profesionist sesa Rama, më i vetëkontrolluar, më skrupuloz. Për ta mbyllur me një shaka, po them se, sikur t’i ndërronim, unë mendoj se ne shqiptarët do dilnim më të fituar.

-Si i shihni projektet e Serbisë së Madhe dhe Shqipërisë së Madhe? Cili prej të dyve është më i zbatueshëm dhe rezistent?

M. Nano: Nuk e di se çfarë thuhet, mendohet e besohet në Serbi lidhur me Serbinë e Madhe. Më mungon informacioni. Ndërsa në Shqipëri, projekti i Shqipërisë së Madhe nuk është më një temë e debatit publik. Elita intelektuale e politike në Shqipëri, me pak përjashtime, nuk i kushton vëmendje një projekti të tillë. Por nuk di të them nëse kjo ndodh ngaqë ky projekt e ka humbur momentum-in e vet, apo ngaqë thjesht e konsiderojnë si një projekt të pamundur për t’u realizuar në praktikë.