Arbëri

Pak gjasa që më 2018 të nisë ndërtimi i Fakultetit të Matematikës

Gjasat janë shumë të vogla, që në vitin 2018 të fillojë ndërtimi i objektit të Fakultetit të Matematikës. Kjo pasi Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk e ka planifikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm, raporton KTV.

Këtë e ka bërë të ditur vet ministri i Arsimit, Shyqri Bytyqi në mbledhjen e komisionit Parlamentar për arsim, pas pyetjes së anëtares së komisionit Teuta Haxhiu.

Por ministri Bytyqi për këtë ia ka hedhur fajin komunës së Prishtinës, duke thënë se problemet me pronën e komunë së Prishtinës, ka penguar futjen e këtij fakulteti në plan-programin buxhetor.

Mirëpo, ai premtoi se ky fakultet do të jetë prioritet i investimeve sociale.

Në komision u diskutua edhe për trajnimet e mësimdhënësve si dhe për programin e testit PISA. Trajnimet e mësimdhënësve nga anëtarët e komisionit u cilësuan të nevojshme mirëpo u kërkua që të ketë më shumë kujdes sepse sipas deputetëve këto trajnime nuk po ndikojnë në rritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë.