Arbëri

Vazhdojnë veprimet konkrete të Ministrisë për reduktimin e ndotjes së ajrit

Në kuadër të Planit të Aktivitetit për reduktimin e ndotjes së ajrit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka vazhduar veprimet konkrete në ndërgjegjësimin e qytetareve për ndërprerjen e përdorimit të thëngjillit për ngrohje.

Në këtë linjë sot është bërë zëvendësimi i thëngjillit me dru në Kopshtin e fëmijëve "DEA" në Prishtinë.

Gjatë këtij aktiviteti ministrja Albena Reshitaj, ka thënë se me ketë veprim po kontribuojmë, sado pak në reduktimin e ndotjes së ajrit dhe ndërgjegjësimin e qytetareve për ndalimin e përdorimit të thëngjillit si lëndë djegëse.

“Ne kuadër të aktiviteteve për uljen e nivelit të ndotjes se ajrit në Kosovë jemi duke vazhduar me dhënien e alternativës për ndërprerjen e përdorimit të thëngjillit dhe shfrytëzimit të drunjëve të konfiskuar të cilët i kemi brenda Menaxhimit të MMPH-së. Kemi ardhur këtu në kopshtin ”Dea” që të ndikojmë ku i kemi sjellë drunjë si alternativë për ngrohje në mënyrë që tash e tutje të mos përdorin thëngjill për ngrohje. Aktiviteti ynë s’ka të ndalur, jemi në faza të veprimit edhe në komuna të tjera”.

Ministrja Reshitaj ka bërë të ditur se në bashkëpunim me institucionet tjera janë duke punuar në zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore, kontrollimin e nivelit të ndotjes nga veturat, ndalimin e përdorimit të thëngjillit në Shkolla, kontrollimin e cilësisë së derivateve të naftës që hyjnë në Kosovë dhe rritjen e bashkëpunimit me komunat.

“Kështu së bashku edhe me ndërgjegjësimin e qytetareve për rreziqet e përdorimit të thëngjillit do të ndikojmë në përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kosovë”, deklaroi Ministrja Reshitaj.

Ndërkaq drejtoresha e kopshtit “DEA”, falënderoi ministren për këtë aktivitet dhe u zotua që më nuk do të përdorin thëngjillin për ngrohje dhe apeloj që as institucionet tjera si motra të mos përdorin thëngjill për ngrohje.

“Mbrojta e ambientit është edhe mbrojta e shëndetit të njeriut, i falënderojë që e kane përzgjedh kopshtin tonë për realizimin e këtij projekti dhe ju dëshiroj sukses dhe punë të mbarë në realizimin e projektit”, është shprehur drejtoresha e kopshtit “Dea”