Arbëri

Sefaj: Po punohet për krijimin e një sistemi që garanton siguri për të gjithë qytetarët

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, tha se MPB është e angazhuar maksimalisht në përmbushjen e obligimeve që dalin nga ligjet dhe Strategjitë Nacionale.

Ky angazhim specifik, sipas tij, realizohet përmes krijimit të forumeve të sigurisë, si Këshillave Komunale për Sigurisë ne Bashkësi, Ekipeve Vepruese për Siguri ne Bashkësi dhe Këshillave Lokale për Siguri Publike, si trupa të qëndrueshëm, që shërbejnë për krijimin e një ambienti të sigurt për qytetarët në gjithë territorin e Kosovës.

Këto fjalë, Sefaj i tha gjatë takimit që mbajti takim me kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës.

Ai tha se një nga prioritet e MPB-së është siguria, për çka Qeveria e Kosovës ka një angazhim të vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës për krijimin dhe ruajtjen e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e saj.

“Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që përballemi për qëndrueshmërinë e forumeve të sigurisë dhe mekanizmave tjerë për zbatimin e ligjit. Megjithatë, jemi duke punuar për krijimin e një sistemi të qëndrueshëm për funksionimin e një shteti të siguritë i cili do të garantojë siguri për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Sefaj.

Ndërsa Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, vlerësoi punën e mirë që po bëjnë Këshillat Komunale për Siguri në Bashkësi dhe se OSBE-ja është krenare që përkrahë projekte të tilla të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ai tha se zhvillimi i sektorit të sigurisë publike dhe fushës së sigurisë së komunitetit në bashkësi ka marrë një rëndësi të madhe kudo nëpër botë.

“Sot kemi kryetarë të ri komunash që për herë të parë po marrin pjesë në zhvillimin e këtyre mekanizmave, ndërkohë që misioni ynë i OSBE-së është që edhe në të ardhmen do të vazhdojmë të përkrahim Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të gjithë juve që jeni në përpjekje për të krijuar kushtet për një siguri më të mirë për qytetarët tuaj”, tha Braathu.

Në këtë konferencë kanë folur edhe kryetarët e komunave të cilët e kanë paraqitur gjendjen reale në komunat e tyre.