Arbëri

Haradinaj: Kosova do të zhvillojë partneritetin strategjik me Gjermaninë

Kryeministri Ramush Haradinaj, mori pjesë në Ditën gjermane të bashkëpunimit, që u organizua nga Ambasada Gjermane në Kosovë.

Para të pranishmëve, kryeministri ai theksoi se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë janë strategjike dhe të veçanta.

“Në kohëra të vështira, përkrahja gjermane ishte vendimtare për përpjekjet e paqes dhe shtetndërtimit në Kosovë, dhe sot Gjermania vazhdon të jetë përkrahësja më e madhe e Kosovës euroatlantike, e sigurisë dhe stabilitetit të saj”, tha Haradinaj.

Më tej, ai tha se Gjermania është donatori i dytë më i madh në Kosovë, me rol të rëndësishëm në të gjitha aspektet e agjendës zhvillimore, si në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, administratë publike dhe demokraci dhe në fushën e energjisë ndërsa shtoi se kosovarët që jetojnë në Gjermani, janë vlerë e shtuar e marrëdhënieve Kosovë-Gjermani.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, pasi falënderoi partnerët, Qeverinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës dhe vlerësoi bashkëpunimin dhe besimin e thellë, tha se Gjermania dhe Kosova mund të jenë krenare për marrëdhënien e tyre të gjatë, miqësore dhe të suksesshme.