Arbëri

Nxënësit e Haxhajve të Gjilanit ende mësojnë në bodrum

Kanë kaluar gjashtë muaj qëkur u rrënua shkolla e vjetër ku vijonin mësimet 55 nxënës të fshatit Haxhaj të Gjilanit, raporton KTV.

U vendos që ata përkohësisht të mbanin mësim në bodrumin e xhamisë. Mirëpo, pas kaq kohësh, shkolla nuk u ndërtua e as nuk u gjet një alternativë që ishte premtuar. Për të mos mjaftuar me kaq, problem tjetër është edhe sistemi ngrohës.

Burimi i vetëm për ngrohje është kjo nxehëse, e siguruar nga vetë prindërit, e cila mund të mos u hyjë në punë për shkak të reduktimeve me rrymë.

Avni Dauti, djali i të cilit vijon mësimet në klasën e gjashtë, thotë se nuk ka besuar ndonjëherë që pas kaq vitesh, fëmijët të mësojnë në bodrume.

Se ambienti është demotivues për mbarëvajtjen e një mësimi të mirëfilltë, thonë edhe mësimdhënësit.

Për mostransferimin e tyre në shkollën qendrore, drejtori i shkollës ua hedh fajin prindërve.

Prindërit arsyetohen se sigurimi i një transporti të sigurt është arsyeja e refuzimit të këtij transferimi.

Më herët, kur Kohavisioni ishte interesuar për këtë çështje, drejtori i arsimit në Komunën e Gjilanit pati premtuar se i ftohti nuk do i zërë nxënësit aty.

Për transferim ai thotë se pret vetëm kërkesën e shkollës dhe komunitetit. Valmir Gashi nga kabineti i ministrit ka thënë se nuk është e përcaktuar me ligj ku duhet të zhvillohet mësimi por do të kujdesen për këtë problem.