Arbëri

Apostolova: Kosova të zbatojë rekomandimet e mbetura nga raporti 2016

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalija Apostolova, ua ka bërë sot thirrje autoriteteve të Kosovës që të zbatojnë rekomandimet e mbetura të raportit 2016 për Kosovën të Komisionit Evropian për funksionimin e gjyqësorit dhe prioritetet e agjendës evropiane të reformave.

Ajo këto komente i bëri në takimin e Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit, organizuar për herë të parë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe i udhëhequr nga kryesuesi i këtij këshilli, Blerim Isufaj.

Ajo tha se largimi i zyrtarëve publikë të paditur dhe të dënuar për korrupsion, është një prioritet për të cilin autoritetet e Kosovës u zotuan se do ta përmbushin brenda agjendës evropiane të reformave.

"Inkurajoj përfshirjen e dispozitave ligjore të kërkuara në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale për të bërë këtë të mundur”, tha Apostolova.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, theksoi se zbatimi i marrëveshjes për drejtësi ka përfunduar me sukses, si një ndër të arriturat kryesore të këtij viti.

Tahiri tha se sipas Agjendës së BPBSL-së në lidhje me Agjendën Evropiane të Integrimeve (ARE), Ministria e Drejtësisë brenda kompetencave të saj ka përmbushur me sukses të gjitha obligimet që dalin nga ARE dhe të cilat janë identifikuar në Raportin e Vendit për 2016.

Shefja e Misionit EULEX, Alexandra Papadopoulou, bëri shpalljen e katër Udhërrëfyesve të BPBSL të hartuar nga EULEX në bashkëpunim të ngushtë me homologët vendas dhe krerët e BPBSL.

Secili udhërrëfyes është plan teknik i veprimit dhe përmban hapa konkretë që institucionet e Kosovës për sundim të ligjit duhet t’i ndërmarrim për të siguruar qëndrueshmëri të kapaciteteve të institucioneve vendase pas përmbylljes graduale të EULEX-it.

“Udhërrëfyesi për Institutin e Mjekësisë Ligjore përqendrohet në kriteret teknike që duhet të përmbushen me qëllim të IML të bëhet institucion i pavarur, siç përcaktohet në Ligjit për Mjekësinë Ligjore. Disa prej kritereve kanë të bëjnë me finalizimin e legjislacionit sekondar, ngritjen e laboratorit të duhur për analiza të toksikologjisë, dhe intensifikimin e ngritjes së kapaciteteve të brendshme. Udhërrëfyesi për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme përqendrohet në përmirësimin e performancës së Dhomës dhe në ndryshimin e legjislacionit aktual për DhPGjS për të trajtuar më mirë dhe në mënyrë më efikase sfidat aktuale dhe të ardhshme, dhe për të themeluar mekanizëm që do të monitoronte elemente të mundshme të krimit të organizuar brenda privatizimit dhe kthimin e proceseve gjyqësore”, tha Papadopoulou.

Ajo theksoi se udhërrëfyesi i tretë ka të bëjë me gjykimin përfundimtar të rasteve që lidhen me pronat e humbura gjatë konfliktit.

Në Udhërrëfyesin për Kolegjin e Ankesave për AKP janë të përcaktuara kushtet që nevojiten për ngritjen e efikasitetit të Kolegjit. Përveç kësaj, në këtë udhërrëfyes parashihet edhe ngritjen e mekanizmit për ndihmë juridike reciproke (i zbatuar nga PSBE) që do të sigurojë dërgimin e vendimeve dhe të aktgjykimeve tek palët që banojnë në Serbi.

Në udhërrëfyesin për rastet e krimeve të luftës parashihet përgatitja e Strategjisë Nacionale dhe Planit të Veprimit për punën që autoritetet e Kosovës bëjnë drejt zgjidhjes së rasteve të krimeve të luftës me qëllim që të sigurohet drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.

“EULEX u bënë thirrje institucioneve të Kosovës që të vazhdojnë me ndërmarrjen e hapave konkretë drejt sigurimit të përgjegjësisë më të madhe për ndërtimin dhe ruajtjen e sistemit të pavarur dhe efikas të sundimit të ligjit”, theksoi Papadopoulou.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Nehat Idrizi, përsëriti gatishmërinë e tij dhe të KPK-së për vazhdim dhe thellim të bashkëpunimit me të gjithë partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë të institucioneve të sistemit të drejtësisë, me qëllim të ngritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies së këtij sistemi.

Ai foli edhe për procesin e integrimit të sistemit të drejtësisë në veri të Kosovës, duke thënë se gjatë këtij viti është bërë me sukses integrimi i 13 prokurorëve dhe 33 staf administrativ të komunitetit jo shumicë.

“Integrimi i Gjyqësorit në veri ka përfunduar me sukses, ku në tërë gjyqësorin e Kosovës janë emëruar 41 gjyqtarë dhe 107 shërbyes civilë nga komuniteti jo shumicë. KGJK ka bërë përpjekje maksimale për t’ju ofruar kushte sa më të mira pune me qëllim të ngritjes së kapaciteteve profesionale”, tha Idrizi.