Arbëri

FMN: Mos e rritni numrin e veteranëve

Udhëheqësja e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovë, Stephanie Eble, u ka bërë thirrje autoriteteve të vendit që mos të rritet numri i skemave pensione jokontributdhënëse.

Ajo, në një konferencë për media që ka mbajtur bashkë me ministrin e Financave Bedri Hamza, ka vlerësuar se Kosova vazhdon të ketë rritje të qëndrueshme të ndikuara nga investimet dhe eksportet.

“Programet për përfitime sociale duhet të reformohen për të adresuar më mirë pronat. Kjo përfshinë po ashtu një ri klasifikim kredibil të veteranëve të luftës, për të qëndruar në suaza të ndarjeve buxhetore për vitin 2018. Po ashtu bëjmë thirrje që të mos shtohen ose rriten skemat e pensionimeve jo kontribuuese, me çka do të ruhej sistemi i shëndoshë pensional e efikasiteti i shpenzimeve në arsim dhe shëndetësi duhet të përmirësohet. Rritjet buxhetore për vitin 2018 si dhe efikasiteti i reformave në sektorin shëndetësor dhe arsimor duhet të rishikohen pasi të futet në zbatim skema pensionale e sigurimeve shëndetësore”, tha Eble.

Shefja e FMN-së ka sugjeruar që paga minimale të mbetet në suaza të mekanizmave të paraparë për përcaktimin e saj.

Sa i përket politikave fiskale, deficiti i buxhetit për vitin 2017 pritet të jetë 1.5 për qind të GDP-së dhe parashikimet për zhvillimin ekonomik, sipas saj, janë në përputhje me rregullën fiskale po ashtu kosto e pagave duhet të jetë në përputhje me rregullën për të.

Megjithatë, Eble tha se përbërja ose kompozicioni i buxhetit mund të përmirësohet me kalimin e kohës.

Në anën tjetër ministri i Financave, Bedri Hamza, sa i përket vlerësimeve të FMN-së për skemat sociale, ka thëne se janë të obliguar që të veprojnë në përputhje me ligjin, ndërsa ka thënë se norma e papunësisë në Kosovë është e lartë.

“Ne si institucione jemi të obliguara të veprojmë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Për normën e papunësisë... është e lartë. Ne kemi dëgjuar shifra të ndryshme. Shifrat e fundit, nëse i referohemi Agjencionit të Statistikave të Kosovës, sillen diku rreth 27 për qind. Pra, do të thotë, është normë e lartë, qoftë 25 apo 30 për qind, është normë e lartë e papunësisë. Ne kemi nevojë që të krijojmë kushte për sektorin privat që ai të jetë udhëheqës në rritjen ekonomike dhe gjenerues i qëndrueshëm i vendeve të punës”, tha Hamza.

Ai po ashtu ka vlerësuar se ekonomia e vendit ka pasur progres, ku e ka ritheksuar se papunësia mbetet në nivel të lartë.

“Ekonomia e Kosovës, viteve të fundit, ka pasur progres. Rritja ekonomike sillet mbi 4 për qind dhe është ndër më të mëdhatë në regjion. Nëse flasim si rritje ekonomike dhe si përqindje është e lartë. Por, duke e ditur bazën e ekonomisë së Kosovës, Kosova ka nevojë për një rritje më të madhe ekonomike me qëllim që t’i adresojë sfidat e saja kryesore që është një prej tyre edhe niveli i lartë i papunësisë, sidomos te gjenerata e re dhe tek gjinia femërore. Kosova vazhdon të ketë stabilitet makro fiskal. Deficiti buxhetor edhe këtë vit, flasim për vitin 2017, pritet që të jetë brenda rregullës fiskale më i ulët se 2 për qind”, tha Hamza.

Ai pret që të ketë një përmbushje të mirë të planit të të hyrave. Hamza pret që të ketë ekzekutim të mirë të pagesave si dhe të ketë bilanc të mirë financiar.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës së Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se ekziston një sistem i shëndoshë financiar me një likuiditet të jashtëzakonshëm, kapital të lartë dhe nivel të ulët të kredive jo performuese.