Arbëri

Provokojnë kryetarët serbë të komunave të Kosovës - betohen nesër në orën 12:44

Megjithëse funksionojnë me buxhet dhe ligje të Kosovës, komunat serbe sërish zgjedhin mënyra të ndryshme që sfidojnë shtetin e Kosovës.

Kësaj radhe, këto 9 komuna, të cilat dolën fituese në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, janë dakorduar që mbledhjen e parë inauguruese, kryetarët dhe asamblistët ta mbajnë në orën 12 e 44 minuta, raporton KTV.

Në ftesën e Komunës së Graçanicës, e cila i është dërguar edhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal por edhe në ftesat e komunave tjera me shumicë serbe, është përzgjedhur pikërisht kjo orë që simbolizon Rezolutën 1244 të OKB-së.

Një veprim të tillë njohësit e pushtetit lokal e vlerësojnë si provokim ndaj institucioneve të vendit.

Besnik Tahiri thotë se Rezoluta 1244 ka vdekur dhe se tendenca për të provokuar tregon një mentalitet aspak integrues.

Ndërkaq, ministria e cila i pranon dhe monitoron këto ftesa se a i përmbajnë të gjitha elementet e kërkuara në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, thotë se caktimi i orës nuk përbën shkelje ligjore.

Në zgjedhjet lokale të tetorit, Lista Serbe doli fituesja më e madhe, duke triumfuar në 9 nga 10 komunat me shumicë serbe, pa pasur nevojë për balotazh.

Kjo parti, që ka mbështetje të madhe nga Beogradi, ka arritur të fitojë në: Mitrovicën e Veriut, Graçanicë, Zubin Potok, Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zveçan, Ranillug, Partesh.