Arbëri

PD-ja mbush 27 vjet, Basha thotë se shpërbërja e së keqes do të përshpejtohet

Partia Demokratike e Shqipërisë organizoi një pritje me rastin e 27-vjetorit e themelimit të saj, ku Lulzim Basha deklaroi dy aspekte të këtij përvjetori.

“Ky dhjetor është si gjithë të tjerët kur përkujtojmë me nderim dhe mirënjohje ata që nuk kemi më mes nesh, nga Azem Hajdari, Gramoz Pashko, Sokol Olldashi e të tjerë”, tha ai.

Por, sipas Bashës, ky dhjetor i 27-të i PD-së ka një dallim nga të tjerët.

“Sepse vjen në vitin e krimit të madh të 25 qershorit, një dënim i madh për qytetarët shqiptarë, për demokracinë tonë dhe pastaj për PD dhe opozitën. Ishte një kthim pas që kërkon nga ne reflektime, vendime dhe veprime të matura, por të vendosura”, vijoi ai.

Basha thotë se PD ka vullnetin, mundësitë ta bëjë këtë.

“PD gjithmonë është kthyer tek vlerat e lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor”, thotë Basha.

Kryetari i PD-së thotë se ka nisur shpërbërja e strukturës kriminale të asaj që e quan narkoqeveri.

“Ky është fillimi i shpërbërjes së strukturës kriminale dhe gënjeshtrës mbi të cilën qëndron kjo narkoqeveri. Janë katër rekorde të kësaj qeverie; 1. Promovimi me vetëdije i individëve me rekorde kriminale, 2. kanabizimi masiv i vendit, 3. angazhimi i bandave si struktura elektorale të PS për të blerë votat, 4. blerja masive e votave në zgjedhjet e 25 qershorit. Këto rekorde provojnë ilegjitimitetin e Parlamentit dhe narkoqeverisë. Shpërbërja e së keqes do të përshpejtohet në javët dhe muajt në vijim”, deklaroi ai.