Arbëri

Vujanoviq: Po presim me durim nga Kosova zgjidhjen përfundimtare për demarkacionin

Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, i cili sot ndodhet për vizitë në Shqipëri, pas takimit me homologun shqiptar, Ilir Meta, gjatë një konference me gazetarët tha se çështjen e demarkacionit me Kosovën e konsideron të mbyllur dhe se me durim vendi i tij por pret zgjidhjen përfundimtare nga Kosova, transmeton KTV.

Vujanoviq tha se kjo është një çështje e brendshme e Kosovës dhe si e tillë nuk duan të ndikojnë aspak, qoftë edhe përmes deklaratave.

Të njëjtin qëndrim ndau dhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, për nevojën e një zgjidhje sa më të shpejtë, për t’i hapur rrugë edhe liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë.

Pyetje: Çështja më e diskutuar në rajon është kufiri me Kosovën. Është i gatshëm Mali i Zi të rishikojë dhe një herë këtë marrëveshje me Kosovën?

Vujanoviq: Sa i takon ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit me Kosovën ne kemi përcaktuar qëndrimin tonë shtetëror. Kjo marrëveshje është e mbyllur. Pas një komunikimi të mirë mes dy qeverive është nënshkruar në Vjenë, është ratifikuar në Malin e Zi. Me durim e shohim këtë gjë, është një çështje e brendshme e Kosovës dhe e kuptojmë që brenda në Kosovës duhet të sigurohet ngadalë, Brukseli ratifikimin e kësaj marrëveshje e ka vendosur kusht për vizat e Kosovës. Duam që të liberalizohen sa më parë vizat dhe këto probleme në Kosovë të zgjidhen sa më parë dhe sa më mirë. Me asnjë deklaratë tonën nuk kemi dashur të ndikojmë, janë çështje të brendshme të Kosovës të cilat besoj do të zgjidhen si duhet.

Meta: Dëshirojmë të shohim në një vullnet të plotë dhe të mjaftueshëm në Kosovë mes gjithë faktorëve për të ecur përpara në këtë çështje pasi dihet që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Malit të Zi mund të konsiderohen gjithashtu shumë të mira dhe të qëndrueshme. Mali i Zi është nga njohësit e parë të pavarësisë së Kosovës dhe nuk ka qenë shumë komode për Malin e Zi të ndërmarrë një hap të tillë. Vlerësoj dhe konstruktivitetin e Vujanoviq që tha kemi durim të presim zgjidhje të plotë dhe përfundimtare. Është në interes të dy vendeve por në mënyrë të veçantë në interes të Kosovës që për fat të keq zgjidhjen e kësaj çështje e ka të kushtëzuar dhe me liberalizimin e vizave të BE.