Arbëri

Cili është profili ideologjik i Hashim Thaçit, sipas francezëve?

Një nga magazinat franceze që merret me politiken e jashtme, “Politique Internationale”, ka publikuar një intervistë me presidentin Hashim Thaçi.

Kjo magazinë ka përshkruar pikëpamjet e Thaçit, rolin e tij, duke i thurur edhe lavde. Kështu, sipas magazinës, Presidenti i Kosovës është ideologjikisht i qendrës së djathtë, properëndimor, politikan që kërkon pajtim mes serbëve e shqiptare, dhe përkrahës i tregut të lirë.

“Politique Internationale”, siç transmeton RTK, në hyrje të kësaj interviste i ka bërë një përshkrim historik presidentit Thaçi, duke e cilësuar atë si burrështetas të linjës properëndimore.

Pa përmendur zgjedhjen e Thaçit President, mes tensioneve të mëdha politike dhe mes kundërshtive, magazina franceze ka zgjedhur të përshkruaj vetëm anën pozitive të këtij burrështetasi.

“I zgjedhur President i vendit në fillim të 2016-ës, Hashim Thaçi vazhdon të ndjekë një politikë të jashtme plotësisht properëndimore dhe proevropiane, mbi bazat e bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal, e po ashtu edhe dialogut me Beogradin”, shkruan magazina.

Ndërsa, në planin e brendshëm, sipas magazinës franceze, Thaçi në politikën e tij ekonomike është me orientim social-liberal, favorizuese ndaj tregut të lirë me synimin për modernizimin e aparatit industrial dhe shfrytëzimit më të mirë të burimeve natyrore të vendit me ndihmën e Bashkimit Evropian.

“Ideologjikisht i djathtë i qendrës, proevropian dhe i afërt me Shtetet e Bashkuara, Hashim Thaçi është person i besueshëm dhe i dialogut, i cili e ka bërë prioritet pajtimin me komunitetin serb (10 për qind e popullatës që jeton kryesisht në veri të vendit) dhe Beogradin gati 20 vjet pas përfundimit të luftës”, shkuan “Politique Internationale”.

Gjithmonë sipas përshkrimit të kësaj gazete, Thaçi është një ndër ata burrështetas që kanë ardhur në pushtet pas viteve të gjata të luftës për çlirimin e vendeve të tyre.

“Pas studimeve të larta për histori dhe shkenca politike në Vjenë dhe Cyrih, ai u angazhua në luftën kundër forcave serbe. Në kushtet e një jete klandestine, ai shndërrohet në shefin e krahut politik të UÇK-së dhe në këtë cilësi udhëhoqi delegacionin kosovar gjatë negociatave të Rambujesë të shkurtit 1999, imponuar nga Grupi i Kontaktit – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Rusia”, shkruan kjo magazinë.

Sipas saj, Thaçi negocioi një sërë marrëveshjesh që u refuzuan nga delegacioni serb, refuzim që çoi në fillimin e fushatës ajrore të forcave aleate të NATO-s kundër pikave strategjike ushtarake dhe infrastrukturore serbe, mes marsit dhe qershorit 1999.

“Në shkurt 2008, ai shpalli pavarësinë e vendit, në konsistencë me angazhimet e tij prej fillimit të aktivitetit politik, në përputhje po ashtu me planin Ahtisaari të vitit 2007. Pavarësia u njoh menjëherë nga shumica e shteteve të BE-së dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova njihet sot nga më shumë se gjysma e shteteve të OKB-së”, shkruan “Politique Internationale”.