Arbëri

Hoxha: Kosova pranoi nga donatorët 164 milionë euro gjatë vitit 2016

Sot, nën organizimin e Ministrisë së Integrimit Evropian, u mbajt takimi i radhës i Forumit të Nivelit të Lartë për koordinimin e donacioneve, ku u prezantuan të gjeturat kryesore të Raportit të Donacioneve për vitin 2016, si dhe prioritet e Qeverisë.

Të pranishëm ishin edhe Shefja e zyrës së BE-së, në Kosovë, Natalya Apostolova, ambasadori i SHBA-së, Greg Delawie të cilët mbajtën fjalë rasti, donatorë si dhe ministrat e kabinetit qeveritar.

Në hapje të takimit, Kryeministri Ramush Haradinaj tha se Kosova ka bërë progres të jashtëzakonshëm viteve të fundit në çdo sferë të shoqërisë tonë. Kryeministri ka theksuar rëndësinë e donacioneve nga taksapaguesit e shteteve mike të cilat e ndihmuan Kosovën në kohën më të vështirë.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, prezantoi Raportin Vjetor për Koordinimin e Donacioneve për vitin 2016, duke i njohur të pranishmit dhe opinionin se janë alokuar 164 milionë euro donacione, në formë të asistencës, me fokus në qeverisjen, shoqërinë civile, arsimin, përmirësimin e menaxhimit të ujërave dhe menaxhimin e ujërave të zeza, investimet në përmirësimin e infrastrukturës si dhe mbështetjen e bizneseve. Donatorë më të mëdhenj, ceku Ministrja, janë Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zvicra, Gjermania, dhe vendet tjera”, theksoi Hoxha.

Më pastaj, Hoxha ceku shumat e dedikuara sipas fushave, si vijon: Qeverisja dhe shoqëria civile me mbi 57 milion, Arsimi me 17.6 milion, Përmirësimi i menaxhimit të ujërave dhe ujërave të zeza me 14 milion, Investimet në përmirësimin e infrastrukturës 10 milion, Mbështetje bizneseve 9.5 milion.

Në vazhdim të takimit, Ministrat gjegjës paraqiten prioritetet në fushën e Sundimit të Ligjit, Edukimin, Shëndetësisë si dhe Ndërmarrësisë e Inovacionit.