Arbëri

Njeriu dhe natyra: Pse femrat që zbulojnë belin rrezikojnë të mbeten sterile?

Descriptive Text

“Pse femrat që zbulojnë belin rrezikojnë të mbeten sterile?”.

Me këtë pyetje mbaron njësia mësimore në librin shkollor “Njeriu dhe Natyra”’ të klasës së pestë te kapitulli Zhvillimi individual i njeriut.

“Gazeta Jeta në Kosovë’’ ka gjetur që përgjigjen e kësaj pyetjeje nxënësit duhet ta gjejnë vetë, pasi në përmbajtjen e kapitullit nuk është në asnjë pjesë përgjigjja.

Madje në tërë kapitullin nuk ka shpjegime as për fjalën ‘sterilitet’.

Por, në vetë pyetjen e shtruar është përgjigjja, pasi është pyetje sugjestive.

Aty konstatohet se zbulimi i belit nga femrat shkakton sterilitetin, që në gjuhën mjekësore i bie pamundësia për të lindur fëmijë.

Pra, aty kërkohet vetëm numërimi i arsyeve.

“Gazeta JnK” ka kontaktuar me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për të parë nëse janë në dijeni për përmbajtjen e këtij libri, apo nëse e ka ngritur si shqetësim ndonjë prej mësimdhënëseve.

Ministria është pyetur edhe për procedurën për tërheqjen e librit.

Kjo ministri nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara nga “Gazeta Jnk”.

Ata kanë dhënë një përgjigje interesante në të gjitha pyetjet e gazetës.

“Më parë ka qenë një zyrtar për tekste shkollore, por me vdekjen e tij nuk është caktuar ndonjë person tjetër në vendin e tij. Ekziston një Këshill për Tekstet Shkollore i emëruar nga ish-ministri dhe ai është organi përgjegjës” ka thënë Arbër Salihu nga Divizioni për Plan-programe pranë MAShT.

Ky libër është rishikuar me datën 25.06.2007 sipas vendimit të ministrit të MASHT-it (nr.201/01B) nga shtëpia botuese “Dukagjini” dhe vazhdon të jetë në përdorim edhe në vitin 2017.

Gazeta ka dërguar pyetje edhe në shtëpinë botuese “Dukagjini”, por përkundër premtimit ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Gazeta ka folur me Arta Gashin, mësuese e klasës së pestë. Ajo thotë se e ka diskutuar me nxënësit e saj pyetjen e cituar në libër.

Mësuesja ka treguar për vështirësitë që i ka hasur në shpjegimin e sterilitetit në aspektin mjekësor, pasi një proces i tillë nuk ishte shpjeguar te pjesa e tekstit.

Ajo është habitur pasi e ka kuptuar se nxënësve fjala sterilitet u ka asociuar me mjetet e sterilizuara që i përdor dentisti.

“I kam pyetur fëmijët a e dini se çka është steriliteti dhe kam vërejtur një habi te ta, deri sa ata janë munduar ta gjejnë, unë jam munduar t’ua lehtësoj duke u treguar atyre se kjo fjali ka lidhje me mjekësi. E të vetmen përgjigje që e kam marrë ka qenë se fjalën sterilitet ata e kanë dëgjuar te dentisti për mjetet sterile”, tha Gashi.

Thotë se këtë pyetje paragjykuese dhe të pasaktë e ka ngritur edhe me kolegët e tjerë.

“Disa herë e kemi diskutuar edhe me kolegët e tjerë për ta gjetur mënyrën më të lehtë për shpjegim, por nuk kemi arritur ta zbërthejmë që ata ta kuptojnë më lehtë. Pra mund të them se edhe pyetjen e cituar në libër e kemi anashkaluar duke e neglizhuar si një pyetje të pakuptimtë përderisa nuk ka shpjegim në pjesën tjetër të tekstit”, tha Gashi.

Diskriminimi gjinor

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka marrë në intervistë një gjinekolog dhe një antropologe për të shpjeguar edhe më tej përgjigjen e kësaj pyetjeje.

Gjinekologu Memli Morina ka thënë se steriliteti nuk është i lidhur me zbulimin e belit.

Ky i fundit i ka treguar shkaqet më të shpeshta të sterilitetit, i cili prek të dyja gjinitë.

“Pamundësia për të mbetur shtatzënë, quhet sterilitet. Në shumicën e rasteve është vetëm një shkak i steriliteti, i cili zbulohet dhe mjekohet, por ka raste kur ka më tepër se një shkaktar që pamundëson çiftit të kenë fëmijë”, tha Morina. “Në 90% të rasteve janë tri probleme që shkaktojnë sterilitetin që janë ovulacioni dhe cilësia e qelizës vezë, tubat e bllokuara dhe problemet tek mashkulli.”

Morina shpjegon në detaje këto tri procese kur qeliza vezë është e cilësisë së dobët dhe nuk ovulon për shkak disbalancit të hormoneve që zakonisht shfaqet tek femrat mbi moshën 37 vjeçare. Tha se bllokimi i tubave mund të shkaktohet nga ndonjë sëmundje inflamatore dhe spermatozoidet nuk arrijnë në qelizën vezë, kurse problemet tek mashkulli janë kur bllokohet vendi ku ruhen spermatozoidet.

Përderisa pyetja në libër i paraqet gratë dhe vajzat si përgjegjëse ekskluzive për pamundësinë për ta lindur një fëmijë për shkak se sterilitetit, që mund të shkaktohet nga zbulimi i belit, gjinekologu Morina thekson se steriliteti prek në përqindje të njëjtë si gratë ashtu edhe burrat.

Image

“Është një bindje e gabuar se steriliteti është problem i cili lidhet vetëm me gruan. Faktikisht prek në përqindje të njëjtë si gratë ashtu edhe burrat, në rreth 32% të rasteve problemi lidhet me burrin. Po ashtu në 32% problemi është tek gratë, kurse në 17% të rasteve ekzistojnë disa faktorë të cilët lidhen edhe me të dy partnerët. Mbetet edhe 19% i rasteve në të cilat infertiliteti mbetet i pasqaruar”, thotë Morina.

Pyetja me përgjigjen e gabuar brenda

Ndërsa Nita Luci, ligjëruese e Antropologjisë Kulturore në Fakultetin Filozofik, tha se në mënyrën se si është ndërtuar pyetja ka paragjykim.

“Del se përgjigja që po kërkohet edhe nga pyetja “Pse femrat që e zbulojnë belin rrezikojnë të mbeten sterile” del se këto pyetje bëjnë vlerësime apriori. Pra mënyra se si është e frazuar pyetja del se është gjykuese”, thotë Luci.

Autorët, sipas saj, kanë munduar ta shtrojnë pyetjen në mënyrë krejt tjetër të thuhet për shembull se në ‘ç’mënyrë ndikon kjo në shëndetin riprodhues’?

Për Lucin, kjo pyetje tregon paragjykimin e autorëve.

“Kjo ka të bëjnë me atë që zhveshja është më problematike për autorët sesa diçka tjetër. Pra ka njëfarë gjykimi se gratë e vajzat të cilat e zbulojnë belin mbesin sterile dhe kjo është problem për shoqërinë”, tha Luci për “Gazetën JnK”.

Kjo pyetje, sipas saj, ka për synim t’i mësojë të rinjtë se vajzat që “zhvishen” jo vetëm biologjikisht por edhe moralisht nuk janë të aftë për lindur fëmijë dhe “për të arritur rolin sublim shoqëror të të qenit nënë”.

Një tjetër problem te këto pyetje, sipas saj, është se përgjegjësia për shëndetin riprodhues është lënë në tërësi te femra.

Profesoresha Luci shprehet se në tekst nuk ka pyetje e cila të njëjtën barrë e vë te mashkulli. Ajo tregon se ka shumë praktika të cilat meshkujt mund t’i bëjnë të cilat mund të ndikojnë në sterilitet. Mirëpo këto pyetje sipas antropologes e vendosin barrën plotësisht te vajzat dhe gratë sa i përket shëndetit riprodhues.

“Për shembull ‘dija e përgjithshme popullore’ që thotë se të ftohen vezoret në qoftë se qëndron ulur në sipërfaqe të ftohtë e cila sipas hulumtimeve mjekësore del se nuk është e vërtetë.” tha ajo duke hedhur dyshim se e njëjta gjë mund të vlejë edhe për pyetjen e fundit.

Autorë të Librit janë: Agim Gashi, Fetah Halili, Ismet Bajraktari dhe Hamdi Ajazaj.

Gazeta ka dërguar pyetje në ministri për të kuptuar se cili prej autorëve është përgjegjës për pjesën kontestuese, por nuk ka marrë përgjigje.

Ndërsa, ekipi recensues i këtij libri përbëhet nga Shpejtim Bulliqi, Esma Rugova, Linda Grapci, Merita Vokrri, Mire Gashi.