Arbëri

Kush janë “matrapazët” e “plaçkitësit”, sipas Haradinajt

Brenda ambienteve të Qeverisë ka mbajtur takim me përfaqësues banorëve të Shipitullës dhe menaxhmentin e KEK-ut, kryeministri Ramush Haradinaj.

Por në konferencën pas takimit ka dalë i vetëm.

Nga këtu, Haradinaj i ka quajtur “matrapazë e plaçkitës” ata që po e bllokojnë procesin e shpronësimit në Shipitullë, duke rrezikuar me kolaps energjetik, raporton KTV.

Ai u ka dhënë 10 ditë afat të gjitha palëve të përfshira që të zgjidhin këtë problem.

Pasi gjendjen e ka quajtur të rëndë, Haradinaj ka shtuar se Kosova nuk mund të vazhdojë të blejë energji elektrike nga shtetet fqinje, kur ka mjaftueshëm thëngjill.

Përfaqësuesi i lagjes “Krasniqi” të Shipitullës, Saim Krasniqi, ka refuzuar të komentojë nëse ka të tillë, që po e shfrytëzojnë rastin për përfituar nga kjo situatë.

Por, ai nuk ka përjashtuar mundësinë të ketë matrapazë në këtë proces. Megjithatë, ai pret që ky problem të zgjidhet brenda pak ditësh.

Krasniqi u ka bërë thirrje zyrtarëve të KEK-ut që punojnë më intensivisht në zgjidhjen e problemit.

Një marrëveshje në parim mes banorëve, KEK-ut e Qeverisë, për këtë problem ishte arritur në ditët e para të mandatit të Haradinajt si kryeministër.