Arbëri

“Thoni ta djegim Dërgutin si ‘shtrigat në mesjetë’ – kjo s’është rruga e trajtimit të problemeve”

Ka vazhduar edhe sot diskutimi i deputetëve e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, pas lajmit që shpërfaqi përplasjet dhe problemet në mes të krerëve të kësaj partie.

Ka qenë deputeti Faton Topalli, ai që është prononcuar sot po përmes profilit të tij në Facebook duke thënë se “ka nevojë për demokratizim, por jo për sharje, fyerje dhe linçim publik”.

“Ka shumë çështje për të cilat duhet të diskutojmë, për demokracinë e brendshme, për mënyrën e marrjes së vendimeve apo për metodat e kundërshtimit politik, por edhe për shumë tema të tjera. Po i përcjell me shqetësim zhvillimet e brendshme. Aida Dërguti kërkoi falje, pranoi se për një moment gaboi. Gabimet janë të natyrës njerëzore. Unë e konsideroj gabim si vet Aida shprehjen e saj. Por çfarë doni t'i bëjmë Aida Dërgutit që bëri një gabim e që një keqdashës nga Grupi Parlamentar u kujdes të bëhet gabimi i saj publik. Si thoni, ta linçojmë publikisht Aidën, ta fusim në gropë dhe të ia lëmë kokën jashtç dhe ta gjuajmç me gurë siç i gjuanin gratë rojet e revolucionit në Iran, apo ta djegim mbi një grumbull drush siç digjeshin shtrigat në mesjetë?”, thotë Topalli.

“Kjo nuk është rruga e trajtimit të problemeve! Mes jush që shani 10 fish në shumë se Aida dhe Aidës unë jam me Aidën. Jam edhe për shkak të mendimit që mund të ma bëni edhe mua njësoj po bëra edhe një gabim të vetëm. Unë di të kundërshtoj, por di edhe të fal. Njerëzit mund edhe të gabojnë por nëse ti ja sheh atij vetëm gabimin dhe jo edhe njëmijë të mira nuk je njeri i mirë. Dashuria që të verbon nuk është dashuri racionale. Jam shumë i bindur që Albin Kurti po të ishte jashtë burgut,nuk do të ndodhte kjo sepse besoj që është më i gjerë, shumë më i gjerë se sa po tregojeni ju. Albin Kurti kurrë nuk do të reagonte si ju. Prandaj më duhet të them, zot ruaje Albin Kurtin nga Albinistat si disa prej jush”, ka shtuar më tej Topalli.

Ndër të tjerë ka shkruar edhe ish-kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Fushë Kosovës, Avni Zogiani.

“Po, ka probleme Vetevendosje!, por është larg, shumë larg nga pika ku janë partitë tjera të cilave u kërkohet në vazhdimësi të heqin dorë nga liderët e përfshirë në korrupsion. Thelbësisht diskutimi në Vetëvendosje, edhe pse ndonjëherë mundet me u shpërfaqë në mënyrë vullgare, është politik. Është rreth asaj se cila qasje sjellë një rezultat më të mirë për realizimin e qëllimeve politike, e jo domosdoshmërisht rreth asaj se kush duhet ta kontrollojë më tutje korrupsionin, ashtu siç ndodhe me partitë tjera në politikën shqiptare përgjithësisht”, ka thënë Zogiani.

“Pra, me gjithë vulgaritetin që mund të shfaqet, krejt ky diskutim brenda VV është se si ajo të behet më efektive... sigurisht në këtë mes ka edhe individë që punojnë për interesa të ngushta, por Vetëvendosje është subjekt i idesë e jo individëve. Kush e përfaqëson më së miri këtë ide, e përcakton anëtarësia e gjerë”, ka thënë ai.