Tre deputetë të Vetëvendosjes deklarohen rreth përplasjes në parti

Tre deputetë të Vetëvendosjes deklarohen rreth përplasjes në parti

08 dhjetor 2017 22:38

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla e Fisnik Ismaili përmes prononcimeve të tyre në Facebook, janë përfshirë në debatin që ka plasur në këtë parti, pas fjalës së rëndë që Aida Durguti kishte drejtuar kah Albin Kurti në një komunikim të brendshëm.

Sveçla ka shtruar një mori pyetjesh drejt koleges së tij në parti, Aida Durguti, duke thënë se ajo ka mundur të mos pres lirimin e Kurtit për t’i kërkuar falje, siç u deklarua ajo në një postim të saj në Facebook. E ka akuzuar edhe për humbje të zgjedhjeve në Vushtrri, që sipas Sveçlës ajo nuk pranoi të kandidohej pa dhënë kurrfarë arsyetimi e shpjegimi, ndonëse kishte përkrahjen e Kurtit por edhe të degës në Vushtrri për një gjë të tillë.

Në anën tjetër, Fisnik Ismaili, ka shprehur bindjen se Aida Dërguti është një prej njerëzve më të rëndësishëm në rrugëtimin e suksesshëm të Lëvizjes deri këtu.

“Prandaj JO! Nuk pranoj, në asnjë mënyrë nuk pranoj, që dikush me e marrë lirinë me e linçue Aidën për një fjalë goje, pavarësisht se a ia ka thanë Albinit, Rugovës, Obamës, qoftë edhe zotit!”, ka thënë Ismaili.

Kundër asaj që e ka quajtur linçim të Durgutit është shprehur edhe deputetja tjetër e Vetëvendosjes, Shqipe Pantina.

Postimi i plotë e pa ndërhyrje i Xhelal Sveçlës:

Të dashur aktivistë, mbështetës e simpatizues të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Kjo nuk është mënyra më e mirë për të komunikuar me ju, megjithatë është e detyrueshme, për shkak të situatave dhe keqinformimit që po mbillet nga shumë anë.

Lexova, ashtu siç keni lexuar edhe ju, se deputetja Aida Dërguti e ka shkruar një letër për publikun.

Edhe unë jam i shqetësuar se pse na është publikuar diskutimi i brendshëm i forumeve të Lëvizjes, dhe pastaj u shqetësova edhe kur pashë që ata që e kanë bërë publike komunikimin kishin nxjerrë në mënyrë selektive vetëm një pjesë të tij. Siç duket, kush ka qenë i interesuar për publikim, nuk ka qenë i interesuar për transparencë. Megjithatë, kushdo që e ka publikuar atë komunikim të brendshëm, me çfarëdo qëllimi, nuk mundet ta ndryshojë temën e cila diskutohet aty.

Cilat janë problemet e brendshme që e kanë shtyrë deputeten Dërguti t’i thotë Albin Kurtit atë fjalë të papranueshme? Pse e ofendoi ajo Albinin pikërisht kur e lajmëruan se ai po arrestohej? Pse iu gëzua këtij arrestimi? Pse zonja Aida Dërguti thotë që donte të priste deri sa të lirohej Albini para se të kërkonte të falur, ndërkohë që kishte mundësinë ta bënte këtë duke vajtur në seancë gjyqësore, siç kanë vajtur plot aktivistë e deputetë të Lëvizjes. Kishte mundësinë të kërkonte ta vizitonte Albinin në paraburgim, siç kanë kërkuar edhe politikanë ndërkombëtarë. Kishte mundësinë t’i dërgonte një letër në burg, ose në gjyq gjatë seancave, por ajo nuk bëri asnjë prej këtyre gjërave. Për më tepër, deputetja Aida Dërguti as nuk u paraqit në mbledhjen e Kryesisë që u mbajt këtë të hënë, dhe as nuk ktheu përgjigje me e-mail, edhe pse e-maili i qe drejtuar asaj dhe gjithë anëtarëve të tjerë të Kryesisë. Ajo priti deri sa ofendimi i saj i rëndë të behej publik, dhe pastaj shkroi një letër ku duket në filim se kërkon falje, por në fund lëshon akuza.

Çfarë padrejtësie apo ofendimi i ka bërë Albin Kurti Lëvizjes, apo vetë deputetes Aida Dërguti? Përkundrazi, Albin Kurti ka qenë një nga njerëzit që e kanë mbështetur më së tepërmi Aidën, edhe si deputete, por edhe si kandidate për kryetare në Vushtrri, gjë për të cilën u bë gati krejt Qendra e Lëvizjes, por edhe qytetarët e Vushtrrisë.

Megjithatë, në fund zonja Dërguti nuk pranoi të kandidojë, pa dhënë asnjë argument dhe sqarim, gjë që çoi në humbjen e zgjedhjeve në Vushtrri.

Zonja Dërguti mban përgjegjësi vetë për veprimet e veta. Unë mund të falënderoj të gjithë aktivistët dhe mbështetësit e Lëvizjes të cilët nuk e kanë përdorur gjuhën banale ndaj deputetes Dërguti. Gjuha banale dhe propaganda tip “pronto” nuk është e pranueshme brenda organizatës sonë.

Kush ka kritika ndaj Albin Kurtit, apo ndaj kujtdo tjetër, është i ftuar të flasë me argumenta, madje edhe të garojë në zgjedhjet e brendshme, e le të matet me vota siç e kërkon demokracia e brendshme. Por, diktati dhe shantazhi është i papranueshëm, nga kushdo që vjen.

Fatkeqësisht, më duhet ta pranoj këtu, se ka pasur nga ata që kanë vendosur kushte dhe kanë bërë shantazh, me të vetmin qëllim që të mos kandidojë Albin Kurti për kryetar të Lëvizjes.

Për të gjitha këto do të duhej të diskutonim në forumet e brendshme të Lëvizjes, mirëpo dikush ka qenë i interesuar të tentojë t’i bllokojë forumet e brendshme për të pamundësuar mbajtjen e mbledhjeve të Kryesisë. Që një kohë të gjatë nuk po mbahen mbledhje të rregullta në secilën javë, e shpesh nuk po krijohet as kuorumi i duhur. Sot që flasim ka ardhur koha për një Këshill të Përgjithshëm të rregullt, e as Këshilli i Përgjithshëm nuk po thirret.

Pse nuk po mblidhen forumet e Lëvizjes, pse nuk po bëhet mbledhje e Kryesisë edhe pse e kemi kërkuar prej më shumë se një jave? Ndoshta për shkak se neve kemi kërkuar raportim për punën e bërë nga të gjithë, si edhe nga drejtuesit e sekretariateve. Pavarësisht kësaj situate, të jeni të bindur që në Lëvizjen VETËVENDOSJE! do të mbretërojë demokracia e brendshme, dhe do të respektohet Statuti dhe Rregulloret e brendshme. Hakmarrja, shantazhi, shpifja dhe diktati që është provuar të përdoret nga një pjesë shumë e vogël e organizatës, prej sot do të marrë fund. Bashkë me anëtarët e Kryesisë, bashkë me deputetët, bashkë me kryetarët e komunave, bashkë me asambleistët, bashkë me dhjetëra mijëra aktivistë ne do të angazhohemi që të rikthehet parimësia dhe funksionimi i rregullt.

Misioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për sovranitet të plotë të Kosovës deri në Bashkim Kombëtar, për socialdemokraci, për zhvillim, drejtësi e barazi, synime për të cilat kemi marrë mbështetjen masive të popullit, nuk ndalet dot nga egot personale të askujt. As puna jonë e as rritja jonë nuk do të ndalet.

Ky është prononcimi i plotë e pa ndërhyrje i Fisnik Ismailit:

Aida Dërguti ka qenë në Lëvizje prej ditëve të para të saj, kur ne të tjerët as s'kemi dijtë çka është Lëvizja.

Aida Dërguti ishte Nënkryetare e Lëvizjes, e qe dy mandate edhe Nënkryetare e Kuvendit të Kosovës. Në këtë pozitë s'ka mbërri sepse dikush e ka vendosë aty, por sepse për vite me radhë është sakrifikue e angazhue për ideal, me përkushtimin më të madh.

Aida Dërguti është një grue jashtëzakonisht e guximshme, e cila është dëshmue në radhët e UÇK-së, është dëshmue me angazhimin e saj sa në rrugë, ashtu edhe në institucionin më të naltë shtetnor, është dëshmue si aktiviste e pandalshme për të drejtat e grave, veteranëve, e krejt qesaj shoqnie.

Aida Dërguti është një prej njerëzve më të rëndësishëm në rrugëtimin e suksesshëm të Lëvizjes deri këtu.

Prandej JO! Nuk pranoj, ne asnjë mënyrë nuk pranoj, që dikush me e marrë lirinë me e linçue Aidën për një fjalë goje, pavarësisht se a ia ka thanë Albinit, Rugovës, Obamës, qoftë edhe zotit!

Aida ia ka dedikue jetën luftës për mendimin e lirë edhe kundër dhunës! Kur po ju shoh kah shpreheni kështu ju, do aktivistë të Lëvizjes, që iu ka qitë buza tambël kur Aida i kishte mushknitë plot gaz lotsjellës nëpër protesta, po m'vje marre që jam me juve në një organizatë.

Aidës, Albinit edhe Kryesisë së Lëvizjes i takon me vendosë se pse, kush edhe qysh ka faj për këtë situatë, jo juve! Jo në këtë mënyrë! Asnjiherë! Kjo çka po e shoh NUK e përfaqëson Lëvizjen edhe idealin e saj! ASNJIHERË!

Prononcimi i plotë e pa ndërhyrje i Shqipe Pantinës:

Aida edhe ne te kaluaren eshte sulmuar e edhe e fyen ( i mbani mend ata shefat e veteraneve) nga shume burra, por ajo ju beri balle atyre, nuk luftoj as me brrylla e as dhelperisht por haptaz dhe qartazi dhe balle per balle.

Aida edhe sot haptazi e qartazi e sinqerisht po e thote te verteten e saj i pelqeu apo jo dikuj. Burrat kane perdorur e vazhdojne te perdorin fjale edhe me fyese per njeri tjetrin por edhe ndaj grave por ata nuk kryqezohen siq po tentohet te kryqezojne Aiden pa e dite te verteten e plote.

E une pra sot jam #meAiden kunder lincimit

 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme