Arbëri

Haxhiu: S’është e vërtetë që Veseli nuk është ftuar nga Gjykata, gjyqtari s’guxon ta pranojë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës ka thënë me shumë bindje se Kadri Veseli është ftuar nga Gjykata, por një gjë të tillë nuk guxon ta pranojë gjyqtari, Beqir Kalludra.

“Nuk është e vërtetë që Veseli nuk është thirrur nga Gjykata, e them këtë me shumë bindje. Mirëpo gjyqtari nuk guxon të thotë se Veseli nuk e ka pranuar ftesën. Ky gjyqtar nuk guxon që ta sjellë me detyrim Kadri Veselin në seancën gjyqësore. As ne nuk e kemi ditur se kaq shumë i kapur është gjyqësori”, ka thënë Haxhiu në Interaktiv të KTV-së.

Këto komente ajo i bëri pasi në Rubikon të KTV-së, Kadri Veseli tha se nuk kishte marrë asnjë ftesë nga Gjykata për të shkuar në seancën për të dëshmuar ndaj deputetëve të Vetëvendosjes.

Haxhiu ka thënë se në seancën e sotme është kërcënuar nga gjyqtari Beqir Kalludra, dhe këtë, sipas saj, e ka pranuar edhe ai. Përderisa shton se deputetët e Vetëvendosjes po persekutohen nga drejtësia.

“Deputetët e opozitës kanë qenë në paraburgim brenda këtyre dy viteve të fundit për veprimet politike brenda Kuvendit. Po persekutohemi nga ana e drejtësisë. Albini dhe Donika janë në burg padrejtësisht vetëm pse sot Kadri Veseli dhe Armend Zemaj nuk ishin prezentë për të dëshmuar. Është skandaloze se si vepron ky gjyqtar dhe kërcënimet që po bën. Më kërcënoi edhe mua dhe këtë e pranoi edhe ai. Qytetarët e dinë se nuk e kemi hedhur gazin për shkak të tekeve tona. Në kohën kur unë bëja pyetja ai më ndaloi, më tha mos vazhdo dhe më kërcënoi”, tha Haxhiu.

Ajo më tutje shtoi se, “persekutimi që iu bëhet deputetëve të opozitës janë shenja të qarta se ky sistem është jashtëzakonisht i keq dhe është punuar ndër vite që gjyqësori të shndërrohet element i klaneve. Vetëvendosja e kundërshton këtë gjykim, ne kemi mundur të thyejmë ndonjë ligj por nuk kemi kryer vepër penale”.