Arbëri

Surroi: Serbia duhet ta marrë përgjegjësinë për atë që ka shkaktuar

Për Veton Surroin, themelues i Grupit KOHA, problemi më i madh në raportet mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë targat e automjeteve, përkatësisht letërngjitësi mbi to, por sesi t’i qasemi të kaluarës.

“Jo duke akuzuar njëri-tjetrin, por duke e pranuar një narracion apo tregim të përbashkët. Ne nuk merremi me këtë, pasi kemi çështje që e kufizojnë jetën politike - e kemi Gjykatën Speciale, Marrëveshjet e Brukselit. Nuk mund të flasin për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe pa folur për raportet mes komunitetit serb dhe shqiptar”, ka thënë Surroi në panelin “Karrota dhe shkopinj - Kushtëzimi Evropian në realitetin politik në Evropën Juglindore”, në kuadër të serisë së Samiteve për Ballkanin Perëndimor në Prishtinë.

“Shoqëritë duhet të kalojnë procesin e zisë, ta racionalizojnë vdekjen dhe të kalojnë në fazën tjetër. Pra kur dikush ka humbur jetë, duke kuptuar që kjo ka ndodhur. Nëse filloni të vajtoni atëherë futeni në një periudhë kur nuk mund ta përballoni atë humbje”.

Surroi ka treguar se në vitin 1968 në Gjermani ekzistonte një lëvizje, që thoshte se Gjermania duhet ta marrë përgjegjësitë për ato që kishte shkaktuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sipas Surroi, tani jemi në fazën kur Serbia duhet ta bëjë një gjë të tillë. (Detajet tjera mund t’i gjeni në numrin e nesërm të Kohës Ditore)