Arbëri

Qeveria publikon gjithë materialin e “Komisionit Bulliqi”

Qeveria e Kosovës ka publikuar raportin e Komisionit për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Vijës Kufitare, të cilit i printe Shpejtim Bulliqi.

Këtë e ka shpërndarë edhe anëtari i këtij Komisioni, Florim Isufi. Ai ka treguar se materiali në Web faqen e Qeverisë së Kosovës, përbën Raportin; Shkresat dhe kontrolli efektiv dhe Atlasi A1.

“Raporti përmban vlerësimin e punën së ish Komisionit. Shkresat dhe kontrolli efektiv përbëjnë procesverbalet e ish Komisionit dhe komunikimet e komisionit aktual me institucionet relevante, ndërsa kontrolli efektiv përmban dokumentacionin origjinal që vërteton ushtrimin e kontrollit të autoriteteve të KSA të Kosovës në territorin i cili mund të mbetet nën administrimin e Malit të Zi. Atlasi A1 ka kualitetin e lartë dhe përmban shumë harta, skema dhe profile që vërtetojnë lëvizjen e vijës kufitare në dëm të Kosovës. Në atlas janë përdorur hartat vetëm për të vërtetuar që vija kufitare ka lëvizur, e jo për të treguar se ku duhet të jetë, pasi që ky komision nuk e ka mandatin të bëjë vijë kufitare të re”, ka treguar Isufi.

Sipas tij, puna e Komisionit për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Vijës Kufitare është qartë e përcaktuar me ligjin nr. 04/L-72 për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror, neni 40, ku qartësohen kompetencat e Komisionit dhe forma e punës për demarkim e jo për delimitim.

“Ju lutëm shkarkoni dokumentacionin dhe analizoni në detale që të kuptoni drejtë dhe qartë të vërtetën mbi vijën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”, ka thënë ai.

Materialin mund ta shikoni KËTU!