Reshitaj: Viktimat e dhunës seksuale të luftës në Kosovë janë heroinat e shtetit tonë

Reshitaj: Viktimat e dhunës seksuale të luftës në Kosovë janë heroinat e shtetit tonë

07 dhjetor 2017 16:43

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka marrë pjesë në përmbylljen e fushatës vetëdijësuese kundër diskriminimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Në ceremoninë e prezantimit të të gjeturave të kësaj fushate, Reshitaj e ka vlerësuar si hap të madh dhe të rëndësishëm këtë fushatë në drejtim të integrimit të kësaj kategorie në shoqëri dhe trajtimit të duhur institucional që kjo kategori meriton, transmeton Koha.net.

“Gruaja ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e vendit, janë nënat shqiptare ato që rritën dhe ia falën Kosovës djemtë dhe vajzat më të mira, janë ato që luftuan kundër të keqes për një të ardhme më të mirë për fëmijët e te tyre, vuajtjet e të cilave nuk po përfundojnë as sot”, ka deklaruar Reshitaj.

Ajo ka thënë se memoria kolektive për to nuk duhet të lihet e paartikuluar dhe e painstitucionalizuar.

“Sakrificat e tyre do të shërbejnë si edukim për qëndresën njerëzore edhe për shumë breza të ardhshëm. Ato janë heroinat e shtetit tonë, ato meritojnë para së gjithash respekt, njohje dhe trajtim institucional, meritojnë përkrahje sistematike, punësim e pjesëmarrje të barabartë në institucione”, është shprehur Reshitaj.

Reshitaj ka vlerësuar vendimin e kësaj Qeverie për caktimin e pensionit për këtë kategori duke kërkuar që si shoqëri të angazhohemi më shumë për një jetë dinjitoze për këtë kategori.

Ministrja ka rikujtuar para të pranishmëve aktivitetin e saj pas përfundimit të luftës e cila bashkë me Kryqin e Kuq belg ishte angazhuar në trajtimin psikologjik dhe mjekësor të grave dhe vajzave të përdhunuara gjatë luftës në Kosovë.

Ajo kujtoi edhe një poezi (Letra e një të vdekuri) që ua kishte kushtuar këtyre grave e cila më pas ishte shpërblyer edhe me çmim ndërkombëtar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme