LDK për Programin e Qeverisë: Me këtë program nuk shkohet askund

LDK për Programin e Qeverisë: Me këtë program nuk shkohet askund

07 dhjetor 2017 12:52

Kuvendi i Kosovës sot po diskuton Programin e Qeverisë 2017-2021.

Në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, Abdullah Hoti, prezantoi vlerësimit e këtij subjekti për këtë program.

Këto janë vërejtjet e këtij grupi:

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka analizuar Programin e Qeverisë 2017-2021.

Ne vlerësojmë se ky program e shpërfaq në mënyrë të vrazhdë mungesën e vizionit të kësaj Qeverie se kah duhet të shkojë shoqëria kosovare.

Programi e bënë të qartë se këta nuk kanë pasion dhe përkushtim për t’ju shërbyer qytetarëve dhe për t’ju përmirësuar jetën atyre.

Dhe kjo është e natyrshme, sepse themelimi dhe përbërja e këtij koalicioni nuk është udhëhequr nga objektivat zhvillimore të partnerëve të koalicionit.

Përkundrazi, sfida kryesore në arritjen e këtij koalicioni ka qenë:

  • gara se kush po merr më shumë pushtet,
  • menaxhimi i kushtëzimeve të partnerëve të vegjël që sot kanë pushtet pesë fish më shumë se fuqia e tyre politike,
  • kushtëzimet e listës serbe,
  • kushtëzimet e minoriteteve të tjera për të marrë një ministri.

Të nderuar deputetë,

  • Në fjalën time, unë do të flas për tri çështje.
  • E para, për punët e mëdha që ka premtuar kjo mega qeveri dhe sa janë përfshirë në këtë program qeverisës.
  • E dyta, do të analizojë se sa janë reflektuar në këtë program premtimet elektorale të partnerëve të koalicionit.
  • Dhe e treta, do të flas për disa aspekte specifike të Programit.
  •  

I

Le të fillojmë nga PUNËT E MËDHA.

Ky koalicion është themeluar gjoja për të kryerë punë të mëdha.

Ndërkaq, Programi Qeverisës nuk është program i punëve të mëdha.

Me këtë program degradon progresi që është arritur në tri vitet e fundit në:

  • trefishimin e normës së rritjes ekonomike,
  • me eliminim të korrupsionit,
  • me reforma ekonomike duke e bërë Kosovën reformatorin më të madh në Evropë,
  • në krijimin e mijërave vende të reja të punës,
  • në rritjen e buxhetit për 30%,
  • në përmirësimin e marrëdhënieve me partnerët tanë,
  • në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve në institucionet tona.

Punë e madhe që duhet të kryejë Qeveria është përmbushja e kushteve për liberalizimin e vizave.

Kushti i parë është marrëveshja e demarkacionit.

Në faqen 7 të Programit, ju keni premtuar se do ta zgjidhni çështjet e demarkacionit në bashkëpunim ndërshtetëror me Malin e Zi.

Ne po presim marrëveshje të re me Malin e Zi, ta vendosni kufirin atje ku i keni kërkuar Komisionit Bulliqi që t’ju vizatojë.

Por, ju e sjellët në Kuvend marrëveshjen siç ka qenë.

Pse nuk e morët vendimin e madh të mos e aprovoni këtë marrëveshjeje në Qeveri?

Gjatë votimit ju u fshehët prapa raportit të Komisionit Bulliqi që ja bashkëngjitët marrëveshjes.

Kusht për liberalizim është edhe luftimi i korrupsionit.

Në Qeverinë Mustafa u patë plotësuar ky kusht, dhe ishte hequr nga Komisioni Evropian. Kishte mbetur vetëm demarkacioni. Tash është kthyer prapë dhe arsyet janë të kuptueshme.

Punë e madhe për kosovarët është punësimi i rinisë.

Të vetmit persona që keni punësuar janë 522 anëtarë të kabinetit qeveritar, ky hyjnë 22 ministra me 220 anëtarë të kabineteve të tyre, afër 70 zëvendësministra me 210 persona në shërbim të tyre.

Sigurisht, Qeveria është në fillim të mandatit, por nuk ka asnjë shenjë se ekonomia do të rritet deri në 7%, siç thuhet në faqen 4 të Programit, në mënyrë që të krijohen vende të reja pune.

Punë e madhe është të punohet ngushtë me parnterët tanë ndërkobmëtar për të konsoliduar shtetësinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Është e vërtetë që nuk kemi nevojë për tutelë, por kemi nevojë për mbështetje, sepse pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën ende, na duhen më tepër njohje për të siguruar anëtarësimin në OKB.

Ju çdo ditë jeni duke e dëmtuar këtë partneritet.

Ju çdo ditë bëni skandale diplomatike dhe tregoheni jo serioz.

Ministri i Jashtëm i bënë ofertë homologut të tij serb të themelojnë së bashku zonë ekonomike në Mitrovicë. Si mund të ftohet një vend fqinj të themelojë zonë ekonomike në Kosovë?

Punë e madhe është definimi i platformës së re të dialogut me Serbinë dhe involvimi i partnerëve tanë ndërkombëtar në këtë proces drejtpërdrejtë.

Ju nuk keni kapacitete për të bërë këtë. Vetëm tre rreshta në faqen 7 të Programit ia keni kushtuar kësaj çështje.

Kjo është e kuptueshme. Ju nuk mund të përgatitni platformë për dialog me Serbinë, sepse jeni të varur në vendimmarrje nga Lista Serbe.

Për ta përmbyllur këtë pjesë të fjalimit tim, ju nuk jeni për punë të mëdha.

Ju nuk mund të realizoni pritjet e mëdha që kanë qytetarët e Kosovës në vitin 2017 e tutje.

 

II

Të nderuar deputetë,

Më lejoni tani të analizojë premtimet elektorale të partnerëve të koalicionit qeverisës.

Është më se evidente se këto premtime nuk janë reflektuar në programin qeverisës.

Premtimi i parë: Z. Veseli nënshkroi Memorandum me Lidhjen e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës dhe premtoi rritje të pensioneve për pensionistët kontributdhënës dhe jo kontributdhënës prej minimum 25%, dhe minimalja e pensionit kontributdhënës 200 euro.

Në pjesën e programit që flet për këtë çështje, në faqe 9 dhe në faqe 72, nuk është përfshirë ky premtim.

Në buxhetin për 2018-2020, që e diskutuam dje, nuk është paraparë asnjë rritje për këtë skemë, buxheti është i njëjtë për tri vite nga 90 mil euro.

Premtimi i dytë: Z. Haradinaj dhe Z. Veseli deklaronin “Do t’i rrisim pagat në sektorin publik me 30%”.

Në Programin Qeverisës këta i ndërrojnë fjalët, në faqe 5 thuhet “ne zotohemi se pagat e këtij sektori [pra sektorit publik] do të rriten për të siguruar shpërblim adekuat për punë, dhe se kjo rritje do të jetë në linjë me rritjen e produktivitetit të ekonomisë së vendit”.

Në buxhetin 2018, pagat rriten më pak se 3%, dhe atë bazuar në ligjin që e ka miratuar Qeveria Mustafa.

Po të mbahej premtimi elektoral, buxheti për paga do të duhej të rritej për 172 mil euro, pra nga 572 mil sa është sivjet në 743 mil më 2018.

Ndërkaq, më 2018 buxheti për paga rritet për 17 mil, apo 3%.

As më 2020 nuk arrihet rritja e pagave për 30%, pasi buxheti arrin në 625 mil, apo 9% krahasuar me sivjet.

A nuk është ky mashtrim elektoral?

Premtimi i tretë: Z. Haradinaj ka deklaruar “Do t’i rrisim eksportet pesëfish”.

Kjo nuk paraqitet askund në këtë Program Qeverisës.

Ndërkaq në buxhetin që diskutuam dje, norma e rritjes së eksporteve është përgjysmuar nga 5.4% në 2.5% në vitin që vjen.

Premtimi i katërt: Z.Haradinaj ka deklaruar për Trepçën se brenda 90 dite, minatorëve do tu njihet stazhi i punës dhe do të zgjidhet çështja e pensioneve të minatorëve.

Sot janë bërë fiks 90 ditë të Qeverisjes dhe ky premtim nuk është realizuar.

Në faqen 97 të programit përmendet se Trepça do të mbetet aset publik, të cilën gjë e ka siguruar Qeveria Mustafa me ligj.

A është edhe ky mashtrim elektoral?

Këto janë disa nga premtimet e partnerëve të këtij koalicioni, njëri prej të cilëve deklaronte se Kosova do të bëhet “Zvicra e Ballkanit”.

Shihet qartë se ky program nuk i përmban këto premtime.

Si rrjedhim, këto kanë qenë mashtrime elektorale.

Një qeveri e përgjegjshme, iu del zot fjalëve të veta, ose kërkon falje publikisht dhe lëshon rrugë.

 

III

Më lejoni në fund të flas edhe për disa aspekte specifike të Programi.

Në program nuk ka asnjë politikë konkrete, të matshme, që siguron rritje ekonomike 5-7%.

Dhe këtë e kemi parë se nuk është reflektuar as në buxhetin 2018-2020. Pra, ky dokument nuk ka kuptim.

Në program është paraparë buxhet shumë më i lartë në bujqësi. Saktësisht, në faqe 6 thuhet se “Buxheti i rritur për bujqësi do të shpenzohet në subvencionim direkt, për blegtori, infrastrukturë rurale, tregtia me produkte bujqësore”.

Ndërkaq, në buxhetin 2018 rritja për bujqësi është zero. Deri në 2020 nuk është paraparë rritje.

Në program thuhet se investimet në pjesën më të madhe do të vijnë nga sektori privat, por në buxhetin 2018-2020 trendi i rritjes së investimeve totale është përgjysmuan në rreth 5%, nga 13% sa është sivjet.

Në program thuhet se Qeveria e Kosovës do ta ketë ofertën e qartë dhe të besueshme për investitorë.

Por, cili investitorë strategjikë do t’i besojë Minsitrit të Diasporës dhe Investimeve Strategjike për të bërë marrëveshje me të kur të shohin skenat e gjuajtjes me revole.

Në programin qeverisës thuhet se rritja e të hyrave buxhetore do të realizohet përmes eliminimit të evazionit fiskal dhe zvogëlimit të informalitetit.

Por, në buxhetin 2018-2020 rritja e të hyrave buxhetore është përgjysmuar në 6% krahasuar me trendin e tri viteve të fundit.

Për më tepër, falja e borxheve pa procedurë ligjore po krijon precedent të rrezikshëm, dhe kjo do të shtyjë plot biznese të mos kryejnë obligimet e tyre ligjore.

Tek furnizimi me energji, Programi Qeverisës na garanton se “Kosova asnjëherë nuk do të ketë vështirësi me sigurimin e qëndrueshëm me energji”.

Në ditët e para të qeverisjes, z.Haradinaj u mor vesh me kanun me banorët e fshtrave që duhet të zhvendosen, pa përfillur procedurat ligjore, të cilat procedura i sigurojnë banorët se do të marrin kompenzimin që ju takon.

Tash pas tre muajsh, gjendja është e njëjtë dhe ne përballemi me rrezikun e krizës energjetike.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik paska themeluar një këshill konsultativ, i cili do të prodhojë një raport për gjendjen.

 

Të nderuar deputetë,

Ky pra është Programi i Qeverisë Haradinaj, me të cilin ky tenton të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, siç e thotë në faqen 7.

Ky program nuk siguron përmbushjen e obligimeve që burojnë nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.

Dhe si rezultat, nuk mund të përmbushen kriteret për të marrë statusin e vendit kandidat.

Standardet evropiane nuk plotësohen duke themeluar Byro Nacionale të Hetimeve, siç ceket në faqe 4 tek sundimi i ligjit.

Këto standarde plotësohen duke mos interferuar në vendimmarrjen e gjyqësorit, duke mos ndërhyrë në procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve e prokurorëve.

Qeveria paraprake ka krijuar standarde të larta.

Ky program nuk siguron që do të mbahen ato standarde.

Me këtë program nuk shkohet askund.

Askush nuk na merr seriozisht, sepse veten nuk po e marrim seriozisht.

Sinqerisht, është papërgjegjësi, tallje dhe nëpërkëmbje e shtetin, e këtij Kuvendi, t’i dorëzohet një program i tillë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme