Arbëri

Hoxhaj shpreh gatishmërinë për zgjidhjen e kërkesave të SBASHK-ut

Planifikimi buxhetor për realizimin e Kontratës Kolektive të Arsimit, Projektligji për punëtorët e arsimit shqip të Kosovës për vitet e 90-ta, kundërshtimi i SBASHK-ut ndaj rritjes së propozuar të pagave për vetëm 4 %, përfillja e propozimit të argumentuar të SBASHK-ut lidhur me Ligjin e pagave janë disa nga çështjet për cilat delegacioni i SBASHK-ut i ka kërkuar angazhimin dhe mbështetjen e zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, i shoqëruar nga këshilltari për organizim të brendshëm, Ymer Ymeri, janë takuar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Enver Hoxhaj, të cilit i kanë prezantuar kërkesat e punëtorëve të arsimit duke kërkuar angazhimin e tij për zgjidhjen e këtyre çështjeve.

Delegacioni i SBASHK-ut ka informuar Hoxhajn për angazhimet që janë bërë lidhur me Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës dhe për gatishmërinë e MASHT dhe ministrit Shyqiri Bytyqi që ky projektligj të shkojë në pjesën e parë të dhjetorit të Qeveri për t’u proceduar në Parlament.

Ky delegacion i ka bërë apel zëvendëskryeministrit që të angazhohet me qëllim që të gjendet mundësia që në Buxhetin e Kosovës për vitin 2018 të planifikohen mjete të duhura për implementimin e Kontratës Kolektive të Arsimit e që ka të bëjë me shpërblimin jubilar për vitet jubilare si dhe me tri pagat përcjellëse me rastin e pensionimit, çështje kjo e ngritur nga kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ismajl Kurteshi.

Po ashtu SBASHK-u i ka kujtuar zëvendëskryeministrit Hoxhaj se mësimdhënësit kanë shprehur kundërshtim lidhur me paralajmërimin për ngritje të pagave vetëm 4 për qind nga janari i vitit 2018.

Ata kanë insistuar që kjo rritje të jetë më e madhe duke sjellë argumente konkrete që mbështesin insistimin e tyre.

Delegacioni i SBASHK-ut e ka kujtuar Hoxhajn edhe lidhur me reagimin me kohë të SBASHK-ut përkitazi me Projektligjin e pagave, i cili në versionin e parë i kishte radhitur në pozitë degraduese punëtorët e arsimit.

Ata i kanë dorëzuar Hoxhajt propozimin e tyre të bazuar në argumente dhe fakte dhe kanë kërkuar që Qeveria para se ta nisë për në Parlament këtë Projektligj të takohet me përfaqësues të SBASHK-ut në mënyrë që ata të shohin nga afër se është përfillur propozimi i tyre i argumentuar.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka lavdëruar angazhimet e SBASHK-ut për realizimin e kërkesave të anëtarësisë së Kosovës dhe përpjekjet e vazhdueshme për të shtuar cilësinë në arsim.

Ai ka shprehur gatishmërinë për angazhime me qëllim që përmes institucioneve të Republikës së Kosovës të krijohen mundësi për realizimin e këtyre kërkesave te arsyeshme të punëtorëve të arsimit në Kosovë.