Arbëri

Supremja reagon ndaj pretendimeve të PDK-së për ndikim të politikës në vendim të gjyqtarëve

Gjykata Supreme ka reaguar ndaj pretendimeve të Partisë Demokratike të Kosovës se kjo gjykatë është e ndikuar politikisht nëpër vendimet e saj.

PDK-ja, dega në Prizren, kishte reaguar ndaj vendimit të PZAP-së, i cili refuzoi ankesën e kësaj partie për rinumërim të votave në Komunën e Prizrenit. Në reagim kjo parti kishte thënë se “njëri nga gjykatësit, Erdogan Haxhibeqiri, të gjithë të afërmit e tij i ka të angazhuar në VV dhe kësisoj i janë vënë në mbrojtje të krimit, lejimit të vjedhjes dhe manipulimit të votave nga VV, ditën e zgjedhjeve me 19 nëntor, për të cilën kemi paraqitur prova dhe fakte konkrete me shkrim dhe video, me të cilat është i njohur edhe opinioni i gjerë publik”.

Këto pretendime i ka quajtur të pavërteta Gjykata Supreme e Kosovës.

“Në këto pretendime, apostrofohet edhe gjyqtari i Gjykatës Supreme, Erdogan Haxhibeqiri, dhe familja e tij, duke cenuar kështu privatësinë e gjyqtarit dhe familjes së tij, në përpjekje që të ndikohet në vendimet e Gjykatës Supreme”, thuhet në reagimin e Supremes.

“Sqarojmë opinionin publik se gjyqtari Erdogan Haxhibeqiri, nuk ka qenë fare pjesë e kolegjit gjyqësor, kur është vendosur për ankesën e subjektit politik Vetëvendosje, ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për rinumërim të votave në Prizren. Po ashtu, sqarojmë opinionin publik se Gjykata Supreme, nuk do të bjerë pre e asnjë kërcënimi as shantazhi direkt apo indirekt, nga cilido subjekt politik, grup apo individ”, thuhet më tej.

Të gjitha vendimet gjyqësore, sipas Supremes, merren në kolegje prej tre anëtarësh, në përputhje të plotë me ligjin, me profesionalizëm dhe me përgjegjësi të lartë.

“Bëjmë thirrje publike, që të ndalohen sulmet e tilla verbale dhe të respektohet pavarësia e gjyqtarëve dhe organeve të drejtësisë”, thuhet në reagim.