Arbëri

Të gjitha akuzat që u këmbyen sot në Kuvend rreth Buxhetit 2018

Me akuza mes LDK-së dhe partive në koalicionin qeverisës është përcjellë thuajse e gjithë seanca plenare, ku pikë kryesore e diskutimit ka qenë projekt-buxheti i 2018-s, raporton KTV.

Më i zëshmi nga LDK-ja ka qenë ish-ministri i Financave, tash shef i grupit, Avdullah Hoti. Përpos që e bëri të qartë se LDK-ja nuk do të japë votën pozitive ndaj përmbajtjes së këtij buxheti, tha se buxheti po kthehet në gjendjen e keqe, siç ishte në vitin 2015.

Me këto konstatime nuk u pajtua ministri i Financave, Bedri Hamza, i cili shpërtheu me kundërakuza ndaj ish-ministrit.

Ai ka bërë të ditur se buxheti është rritur në shumë sektorë dhe është i bazuar në programin qeverisës, në reformat e ekonomisë dhe në kontestin makro-ekonomik brenda dhe jashtë vendit, ndërsa ka shtuar se do të ketë rritje të pagave.

Gjithashtu, akuza ndaj LDK-së kishin edhe deputetët e PDK-së, të cilët përmenden dështimet që, sipas tyre, janë bërë nga kjo parti sa udhëhiqte Qeverinë e kaluar.

Kundër përmbajtjes së këtij buxheti ishte edhe Vetëvendosje, kryetari i së cilës paralajmëroi ndryshim të shumës së buxhetit siç ndodhi me atë të këtij viti, nëse, sipas tij, zgjat jeta e Qeverisë pas pranverës së vitit të ardhshëm.

Opozita ka thënë se në shumë projekte që janë duke u realizuar janë bërë shkurtime të mëdha të buxhetit, duke rrezikuar komunat dhe Qeverinë të përballet me padi nga kompanitë e kontraktuara.