Arbëri

Propozim i BE-së: Serbia anëtare deri në vitin 2025

Në Projektstrategjinë për pranimin e Serbisë në BE, Komisioni Europian parasheh se ky shtet do të mund të bëhej anëtare e BE-së deri në vitin 2025 dhe paraprakisht duhet të përmbyll të gjithë kapitujt negocioues deri në vitin 2023 dhe të arrijë marrëveshjen për normalizim me Prishtinën deri në fund të vitit 2019, kanë thënë burime të RTS-së.

Projektstrategjia për pranimin e Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit që në formën e vet përfundimtare do të miratohet në shkurt, përmend kushtet që janë për Serbinë dhe për BE-në si dhe afatet kohore që ato duhet të publikohen në mënyrë që anëtarësimi të jetë i mundur deri në vitin 2025, thonë këto burime, transmeton Koha.net.

Sipas këtij projekti, të gjithë kapitujt negociues do të duhej të hapeshin dhe mbylleshin deri në vitin 2023, me qëllim që Serbisë t’i mundësohet hyrja deri në vitin 2025 përmes procesit të ratifikimit të marrëveshjes në Parlamentin Europian dhe në parlamentet e vendeve anëtare.

Në projektstrategji theksohet edhe fundi i vitit 2019 si afat për arritjen e marrëveshjes detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, që është njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim në BE.

Këtë ngjarje tashmë e ka paralajmëruar edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, duke paralajmëruar disa herë “lëvizjen cilësore në dialogun Beograd-Prishtinë për vitin e ardhshëm, përkatësisht deri në fund të mandatit të Komisionit Europian aktual, i cili skadon në nëntorin e vitit 2019”.