Arbëri

Oda Ekonomike Amerikane: Kosova mund të përballet me krizë energjetike në fillim të vitit të ardhshëm

Vonesa e shpronësimit të pronarëve në fshatrat në të cilat planifikohet krijimi i minierës së re të thëngjillit, i cili me gjithë angazhimet e Qeverisë nuk ka rezultuar me zgjidhje të qëndrueshme, rrezikon furnizimin stabil me energji nëse kjo çështje nuk zgjidhet në një të ardhme të shpejtë.

Një situatë e tillë e mungesës së thëngjillit mund të cenojë kapacitetet vendore të energjisë elektrike dhe mund të shkaktojë ndërprerje të furnizimit me energji elektrike nga muaji janar a tutje, pikërisht në kohën kur konsumi i energjisë në vend është më i lartë.

Në një tryezë të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka tha se termocentralet vendore momentalisht po gjenerojnë rreth 400 MW derisa sasia tjetër prej 400 MW të tjerë po importohet me çmim disa herë më të lartë.

Ai përmendi se për shkak të krizës që kërcënon vendin në aspekt të furnizimit stabil me energji elektrike, Ministria ka mbledhur një këshill emergjent i cili përbëhet nga institucionet dhe organizatat relevante nga fusha e energjisë elektrike, i cili së shpejti do të dal me një raport, i cili pastaj do të diskutohet në qeveri.

Ministri Lluka foli edhe për masat që qeveria planifikon të ndërmarrë në aspekt të rritjes së efiçencës së energjisë, duke theksuar investimet në rritjen e efiçencës në objektet publike, të cilat do të rezultonin me kursime deri në 8%, por edhe planet e ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike duke shpresuar që kontrata për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re do të nënshkruhet deri në fund të këtij viti.

Kryesuesja e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik e Kuvendit të Kosovës, Sala Berisha Shala, tha se Kuvendi do të angazhohet për funksionalizimin e shpejtë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Ajo tha se Kuvendi është institucion ligjvënës de mbikëqyrës i zbatimit të legjislacionit dhe do të sigurohet që vendi të mos përballet me ndonjë krizë të mundshme energjetike.

Në anën tjetër, kryeshefi ekzekutiv i KEDS-it, George Karagutoff, theksoi se kriza e mundshme energjetike, rrjedhimisht zvogëlimi i sasisë së energjisë të prodhuar nga kapacitetet vendore energjetike, do të ndikojë në importim të energjisë elektrike me çmim dukshëm më të lartë, të cilin KEDS nuk do të mund ta mbulojë, situatë kjo e cila do të kërkojë ndërhyrjen e Qeverisë.

Bizneset e pranishme në tryezë kërkuan nga Qeveria dhe Kuvendi që ta trajtojnë situatën e thëngjillit dhe furnizimit stabil të energjisë me prioritet më të madh, ashtu që ndonjë krizë e mundshme të mos shkaktojë probleme në operimin e bizneseve anembanë vendit.