Arbëri

Apostolova: BE, e përkushtuar për rajonin dhe paqen

Në konferencën e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës me mbështetjen e organizatës gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar GIZ të titulluar “Rëndësia e përafrimit të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së: Sfidat dhe mundësitë”, pjesëmarrëse në panel ishte edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova.

Ajo ka vlerësuar se vendet aspiruese për anëtarësim në BE nga Ballkani Perëndimor janë fqinjët e Bashkimit Evropian, duke theksuar kështu perspektivën evropiane të këtij rajoni drejt integrimit në BE.

Veç kësaj, Apostolova foli edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çka ka thënë se kjo tregon përkushtimin e BE-së për rajonin dhe paqen.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se nëpërmjet përafrimit me Bashkimin Evropian, politikën e tij të jashtme, ne përmbushim interesat e shtetit tonë, interesat e qytetarëve dhe interesat kombëtare. Nëpërmjet këtij përafrimi, ne forcojmë subjektivitetin tonë ndërkombëtarë, bëhemi pjesë e një organizate politike, e cila është njëra prej akterëve më të rëndësishëm botërorë.

“Le t’i tregojmë qytetarëve tanë, mirëpo edhe klasës politike, e cila ndoshta nuk mund t’i kuptojë plotësisht këto koncepte: pse ne jemi duke u përafruar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, pra perëndimit. Ne po e bëjmë këtë sepse ne jemi të vendosur që të jemi gjithherë me perëndimin. Ne po lëvizim drejt perëndimit dhe perëndimi nuk vjen te ne, BE nuk vjen te ne”, ka thënë Pacolli.

Në vazhdim të prezantimit të tij, ministri Pacolli ka kërkuar më shumë koordinim me aleatët dhe unifikim të politikës së brendshme.

“Ne nuk mund të sillemi sikur jemi qendra e botës. Duhet të koordinohemi me aleatët tanë më të mirë, sepse që nga koha e Skënderbeut, ne e kemi këtë mesazh: bashkimi bënë fuqinë. Ne nuk mund ta sfidojmë Bashkimin Evropian me lojërat tona të brendshme politike, as të shfrytëzojmë atë për këto lojëra”, është shprehur Pacolli.

Ai ka përmendur edhe punën, që është bërë deri më tash nga institucionet vendore në këtë drejtim dhe gjithashtu edhe sfidat që mbesin përpara.

“Është shumë e rëndësishme të përmendet, që deri më tash, Kosova plotësisht e ka përafruar politikën e saj të jashtme, megjithëkëtë më shumë hapa duhet të ndërmerren në linjë me kërkesat që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit”, ka thënë Pacolli.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka potencuar se integrimi evropian mbetet ndër prioritetet kryesore të politikës kosovare.

Sipas saj, vlerat e BE-së konsiderohen edhe vlera të vendit tonë. Ajo, gjithashtu foli edhe për rëndësinë e sundimit të ligjit dhe sigurinë si kritere të rëndësishme për një të ardhme të përbashkët evropiane.