Arbëri

Kastrati: Minimumi i dënimit për hakmarrje është 15 vjet burgim

Pretendimet e prokurorit se atentatori Murat Jashari e ka sulmuar avokatin Azem Vllasi është bërë me qëllim hakmarrje nuk qëndrojnë, sipas avokatit mbrojtës të Jasharit, Emrush Kastrati.

Avokati Kastrati theksoi në Rubikon të KTV-së se këtë prokurorët e kanë kthyer në praktikë të shpeshtë, gjë që rrjedhimisht ju jep mundësi për zgjatje të paraburgimit dhe procedurave.

“Konsideroj se kualifikimi i veprës penale se mund ta ketë kryer Jashari nuk mund të jetë hakmarrja. Është praktikë e prokurorëve që të shkohet në pretendime sa më të rënda”, ka thënë Kastrati. “Minimumi i dënimit është 15 vite ose burgim i përjetshëm”.

Kastrati ka thënë se shpjegimi i vetëm mbetet ai i Jasharit.

“Ai e ka marrë një veprim antiligjor të cilin unë nuk e përkrahi. Shpjegimi i tij ka qenë vetëm për ta plagosur dhe jo për të ja marrë jetën”, ka thënë ai.

Tutje avokati bëri të ditur se gjatë intervistës nuk është diskutuar për asnjë listë dhe organizatë të mundshme.

“As që është diskutuar lidhur me organizatën e as që është potencuar gjatë intervistës dy orëshe se ekziston diçka e tillë e as që është diskutuar për një listë të mundshme që është prezantuar në media. Edhe tani po them që nuk e di që ka listë të tillë”, ka thënë Kastrati.