Arbëri

Shqiptarët e Luginës kërkojnë nga BE që Serbia të zbatojë ‘Planin 7 pikësh’

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrizi deklaroi sot në Bujanoc se Bashkimi Evropian po e vëzhgon me kujdes Jugun e Serbisë, raporton B92, transmeton Koha.net.

Ai ka thënë se BE konsideron se është me shumë rëndësi që të vazhdojë zbatimi i Planit shtatë pikësh të cilin, sipas propozimit të partive shqiptare nga Presheva dhe Bujanoci, e miratoi Qeveria e Serbisë në qershor të vitit 2013.

Nga këto kërkesa brenda katër vjetëve janë përmbushur vetëm dy prej tyre.

Fabrizi, pas takimit me përfaqësuesin e komunës së Bujanocit, Shaip Kamberin, tha se Bashkimi Evropian do të mbështesë zbatimin e Planit shtatë pikash dhe vazhdimin e dialogut ndërmjet Serbisë dhe përfaqësuesve politikë shqiptarë nga Bujanoci dhe Presheva, transmeton Koha.net raportimin e B92.

“Kjo është vizita ime e parë në Bujanovc, dhe më vjen mirë që mund të dëgjojë mendime të ndryshme. BE vëzhgon me shumë kujdes zhvillimet politike në këtë territor dhe është me shumë rëndësi të vazhdojë respektimi i të drejtave të pakicave kombëtare. Në kuptimin e gjerë në BE të gjithë jemi pakica kombëtare dhe duhet të punojmë që të krijojmë një ambient të tillë që të gjithë të ndjehen të respektuar dhe si në shtëpi të vet”, është shprehur Fabrizi.

Ai ka thënë se fakti se “Dita e komunës së Bujanocit është zgjedhur 9 maji, tregon se ai qytet është i përkushtuar për hyrje në Bashkimin Evropian, meqë kjo është një ditë e rëndësishme për BE-në, Dita e Evropës”.

Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, u tha gazetarëve se qeverisja lokale është e përkushtuar për zhvillimin e komunës dhe avancimin e të drejtave të pakicave dhe se e dinë që e gjithë kjo është e mundur të realizohet përmes procesit të eurointegrimeve.

“Kam kërkuar nga ambasadorët që të inkurajojë Qeverinë e Serbisë që të intensifikojë realizimin e Planit shtatë pikësh, që i është kushtuar përparimit të të drejtave të shqiptarëve, në përputhje me ligjet vendëse si dhe me ato të Bashkimit Evropian, në mënyrë që të krijohet situata në të cilën pakicat do të ndiheshin komode dhe do të mund të realizonin të drejtat e tyre”, është shprehur Kamberi, transmeton Koha.net.

Kamberi po ashtu ka thënë se pushteti lokal është i interesuar për programin e ri të Bashkimit Evropian, Eu-Pro, realizimi i të cilit fillon më 2018, përmes të cilit do të mund të përfitohen mjete pa kthim nga fondet e BE-së për përmirësimin e jetës së qytetarëve të komunës së Bujanocit.