Arbëri

OSBE premton të mbështesë projektet për përmirësimin e gjyqësorit

Descriptive Text

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Nehat Idrizi, ka pritur sot në një takim pune ish-ambasadorin e Mbretërisë Norvegjeze në Kosovë, Jan Braathu i cili aktualisht është ambasador i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se të pranishëm në takim ishin edhe përfaqësuesja e ambasadës Norvegjeze në Kosovë Beata Katarzyna Elyachouti si dhe Sean Mechale këshilltar i lartë ligjor nga OSBE, transmeton Koha.net.

“I pari i KGJK-së me theks të veçantë ka biseduar për projektin “TIK SMIL”, (TIK–Teknologjia e informacionit dhe komunikimit. SMIL–Sistemi i menaxhimit informativ të lëndëve). Ky Projekt i cili mbështetet nga ambasada Norvegjeze e që është në implementim e sipër ka rëndësi të veçantë për tërë sistemin e drejtësisë në vend duke filluar nga efikasiteti, llogaridhënia e mbi të gjitha transparenca, për të dy këshillat (KGjK-KPK)”, thuhet në komunikatë.

Më tutje thuhet se ambasadori Braathu u shpreh i kënaqur me punën e Projektit SMIL dhe premtoi se edhe tani nga këndi tjetër, nga OSBE do ta përcjellë në mënyrë të vazhdueshme punën e Projektit në fjalë dhe se është i gatshëm ta mbështesë dhe ta ndihmoj në çdo aspekt, si Projektin, ashtu edhe sistemin e drejtësisë. Të dy palët shprehën gatishmërinë e vazhdueshme të bashkëpunimit në shumë dimensione me qëllim të përmirësimit të sistemit gjyqësor në vend.