Arbëri

Nëse s’ka rinumërim Prishtina do të ketë dy kryetarë, thotë Haziri

Numri dy i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se në rast se nuk lejohet rinumërimi në Prishtinë, kryetqtit do t’i ketë dy kryetarë – Shpend Ahmetin e Arban Abrashin.

Në “Interaktiv” të KTV-së, Haziri ka thënë se nga rezultati u pa se kandidati i partisë së tij, Arban Abrashi do të jetë kryetar i ri i Prishtinës.

“Kjo ecje politike e z. Abrashit për vetëm 30 ditë e bën atë kryetar patjetër.

Nëse nuk lejohet që të rinumërohen votat në Prishtinë, atëherë e them se Prishtina do ta ketë një kryetar të zgjedhur në thonjëza (Shpend Ahmeti v.j.), i cili do të rri në zyrë të Komunës së Prishtinës dhe një kryetar të Prishtinës që do të rrijë jashtë zyrave të Komunës dhe do të punojë me qytetarët e Prishtinës”, ka thënë Haziri.

Haziri ka thënë se edhe nëse vetëm një votë është diferenca, kutitë duhet të hapen dhe rezultati të zbardhet.

“Duhet të jetë votë e zbardhur, edhe vetëm një votë nëse e ka para nesh, e urojmë publikisht dhe e mbështesim edhe në Kuvendin Komunal në rolin tonë opozitar që e kemi atje. Por me këtë votë të rrejshme, tregon qartë që Prishtina po shkon drejt një pamje bardhë e zi të cilën nuk do që ta shohë askush”, ka thënë Haziri. “Le ta faktojë rinumërimi që është kjo diferencë dhe ne do t’ia japim dorën edhe z. Selimi që po i shkon për rrobash Shpend Ahmetit në këtë arnim”.

Ai e ka çmuar lartë punën e Abrashit në garën për kryetar të Prishtinës.