Arbëri

Mali i Zi pranon të rinegociojë marrëveshjen për demarkacion tek pasi ta ratifikojë Kosova

Mali i Zi nuk sheh hapësirë që të rikthehet te çështja e demarkacionit.

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srdjan Darmanoviq në Rubikon të KTV-së theksoi se institucionet kosovare duhet të kryejnë punën e vetë.

Mali i Zi, tha Darmanoviq, tashmë e ka kryer atë.

Sipas tij, komisioni i inicuar nga kryeministri Haradinaj nuk është ndërkombëtarë dhe si i tillë është vetëm pjesë e temave të brendshme të Kosovës.

“Ai Komision nuk është ndërkombëtar dhe është pjesë e temave të brendshme kosovare lidhur me këtë temë... kur marrëveshja të ratifikohet edhe në Kosovë natyrisht mund të hetojmë se çfarë është mirë për të dyja vendet nëse ka diçka, por natyrisht duhet t’u përmbahemi marrëveshjeve ndërkombëtare që kemi nënshkruar. ‘Pacta sunt servanda’ (lat. Marrëveshjet duhet respektuar) është një prej rregullave kryesore të së drejtës ndërkombëtare dhe raporteve të mira ndërkombëtare dhe besoj se kështu duhet të përfundojë", ka thënë ai.

“Ky është qëndrimi ynë i njohur dhe qëndrim që ka përkrahje të BE-së dhe SHBA-së, andaj nuk shoh që ka arsye të reja përse do të duhej ndryshuar këtë qëndrim”, shtoi tutje ministri malazez.

Darmanoviq la hapësirë se pas ratifikimit, në rast të dëshmive të reja, dy shtetet mund të negociojnë.

“Kjo pastaj është situatë e re, në të cilën dy shtetet mund të negociojnë, por duhet t’i përmbahemi asaj që nënshkruam e çfarë mund të ndodhë më pas nuk mund të supozoj. Por, shtetet mike mund të merren vesh për gjithçka”, ka thënë ai.

Në pyetjen se “çfarë nëse nuk ratifikohet në Parlamentin e Kosovës, nëse s’ka dy të tretat dhe nuk votohet” ai ka thënë se “nuk do të ndodh asgjë e tmerrshme”.

“Ne do të jemi miq e partner të mirë, pavarësisht se për momentin e kemi çështjen e demarkacionit të papërfunduar. Ajo ndoshta do të përfundojë në ndonjë kohë tjetër”, përfundoi ai.