Arbëri

Cooper te Haradinaj: SHBA do ta mbështesë Kosovën në të gjitha proceset e saj

Descriptive Text

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim zëvendës ndihmës sekretaren e mbrojtjes së SHBA-së, Laura Cooper, me të cilën bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, proceset integruese të vendit dhe sfidat në fushën e sigurisë, njofton kumtesa nga Kryeministria, transmeton Koha.net .

Haradinaj theksoi rëndësinë e pranisë ushtarake e diplomatike të SHBA-së në Kosovë dhe rajon si një faktor të stabilitetit dhe paqes dhe posaçërisht vlerësoi mbështetjen që SHBA-ja vazhdon t’i jap Kosovës në ndërtimin e një shteti demokratik e gjithëpërfshirës.

Ai tha se me dinamikën e re qeverisëse Kosova po përshpejton zbatimin e reformave në vend në fusha të ndryshme, posaçërisht atë të sundimit të ligjit dhe të rendit dhe në zhvillimin ekonomik.

Kryeministri heksoi se Kosova po ndërton fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit dhe është angazhuar në procesin e dialogut me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve. Ai tha se dialogu duhet të riformatohet dhe afatizohet duke sjellë një rezultat përfundimtar konkret, atë të njohjes reciproke ndërmjet dy shteteve. Kryeministri Haradinaj tha se në fazën përfundimtare të dialogut dhe në përmbyllje të tij është e domosdoshme përfshirja e SHBA-së si garantuese e procesit së bashku me BE-në.

Duke folur për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura, kryeministri Haradinaj theksoi se po bëhen përpjekje në këtë drejtim brenda kuadrit kushtetues të vendit, në bashkëpunim ndërinstitucional dhe me komunitetet dhe se ky proces do të bëhet në koordinim të ngushtë me SHBA-në..

Zëvendës ndihmës sekretarja e mbrojtjes e SHBA-së, Laura Cooper, tha se SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështesë dhe të qëndrojë përkrah Kosovës në të gjitha proceset e saj.