Arbëri

Serbia kërkon që shqiptarët në Luginë t’i bëjnë “simbolet e veta kombëtare”

Vendosja e flamurit kombëtar sot në ndërtesat e komunave të Preshevës e të Bujanocit me rastin e Ditës Pavarësisë së Shqipërisë, me gjasë ka zemëruar zyrtarë të Beogradit, transmeton Koha.net.

Për këtë arsye, kryetari i Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë për komunat Bujanoc, Preshevë e Medvegjë (Luginë e Preshevës) Zoran Stankoviq, ka thënë se Serbia më herët u kishte ofruar shqiptarëve të këtyre komunave në Serbi të dizajnojnë e t’i bëjnë simbolet e veta kombëtare, porse, ka shtuar, përgjigje për këtë ofertë ende nuk ka.

“Ne i kemi ofruar minoritetit kombëtar shqiptar të dizajnojë simbolet e veta kombëtare të cilat duhet të dallohen nga simbolet kombëtare në shtetin amë. Për fat të keq kjo nuk ka ndodhur”, citon FoNet të ketë thënë Stankoviq.

Ai, duke folur për kremtimin e Ditës së Flamurit në Luginën e Preshevës ka thënë se “detyra jonë në periudhën e ardhshme është që ata vetë (shqiptarët) , pasi t’i propozojnë simbolet e veta kombëtare, ato edhe t’i bëjnë dhe kështu kjo çështje të hiqet nga rendi i ditës”.