Arbëri

Kërkohet lirimi i të dënuarve të rastit Kumanova

Descriptive Text

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe familjarët e të vrarëve dhe të arrestuarve në rastin “Kumanova”, protestuan sot kundër dënimit të Grupit të Kumanovës, duke kërkuar lirimin e tyre të pakusht.

Muhamet Bilalli, në emër të Shoqatave të luftës, tha se Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë deri më tash nuk e kanë parë të udhës të ndriçojnë të gjitha skenat që kanë ndodhur në Kumanovë.

“Nuk e di cili pushtet në botë në kohë paqeje ka dhënë dënime të tilla. Prandaj jemi në këtë protestë për të treguar se jemi përkrah luftëtarëve të lirisë. Kemi dalë të dëshmojmë se rruga e madhe e bashkimit është e hapur. Këta luftëtarë janë vrarë në Kumanovë pa asnjë fakt, pa asnjë dëshmi terroriste siç janë quajtur. Këta kanë qenë dhe janë pjesë e luftës për liri të popullit shqiptar”, tha ai, raporton KP.

Nga Lëvizja Shqipëria e bashkuar, Frashër Rracaj, tha se përpjekja e drejt e grupit të Kumanovës ka vlerën e lirisë e jo të krimit.

“Maqedonia e keqpërdori marrëveshjen e Ohrit. Si pasojë e mos realizimit të kësaj marrëveshje shqiptarët janë të diskriminuar. Jemi me ju dhe në mbrojtje të juaj. I bëjmë thirrje Qeverisë maqedonase që të bëjë lirimin e të dënuarve të rastit Kumanova”, tha ai.

Rracaj i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të reagojë ndaj dënimit të grupit të Kumanovës.