Arbëri

Thaçi: Nëntori na dha guxim e forcë për të shpallur Republikën e Kosovës

Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar shqiptarët për festat e nëntorit duke thënë se ky muaj i ka dhënë Kosovës guxim e forcë për të shpallur Republikën.

Thaçi ka uruar përmes Facebookut për 105-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e Adem Jasharit si dhe daljen e parë publike të UÇK-së.

“Nëntori i ka dhënë gjithmonë shpirt historisë sonë. Por, krenaria kombëtare, lidhja shekullore dhe vendosmëria e popullit tonë, më së miri përbashkohen rreth Flamurit Kombëtar më 28 Nëntor.Bashkë me 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ne sot e festojmë edhe ditëlindjen e komandantit tonë të madh, Adem Jashari, si dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj gjithë shqiptarëve anekënd botës, ua uroj festat e krenarisë dhe lavdisë sonë kombëtare. Ky muaj historik na ka dhënë gjithnjë guxim e forcë për ta shpallur edhe Republikën e Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Në fund Thaçi ka shkruar se sot “simotra të pandashme, Kosova e Shqipëria qëndrojnë të bashkuara edhe rreth agjendës evropiane”.

“Ishim, jemi dhe do të jemi gjithmonë bashkë!”, ka përmbyllur urimin e tij Thaçi.