Arbëri

Kurti: Me fitoret në Prishtinë e Prizren shmangëm një të keqe të madhe

Descriptive Text

Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se me fitoret e Vetëvendosjes në Prishtinë dhe Prizren është shmangur një e keqe e madhe në dy komunat më të mëdha të Kosovës.

Pas numërimit të votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta, si dhe atyre me postë Vetëvendosje u konfirmua për katër vitet e ardhshme në udhëheqjen e Prishtinës dhe Prizrenit, transmeton Koha.net.

“Urime fitorja, qytetarë të komunave të Prishtinës e të Prizrenit! Sot festa është e kuptueshme, sepse e shmangëm një të keqe të madhe në dy komunat më të mëdha të Kosovës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai më tutje ka shtuar se, “prej nesër festa shndërrohet në punë, dhe ajo punë do të jetë jo veç shmangie e së keqes, por edhe ndërtim i së mirës. I së mirës me program e sipas ligjit. E mirë që duhet të jetë në shërbim të të gjithëve, edhe në shërbim të votuesve të partive të tjera”.

Kurti gjithashtu ka thënë se në tri komunat që Vetëvendosja udhëheqë do të qeveriset gjithnjë me qytetarin.

“Nga nesër Shpendi në Prishtinë, Mytaheri në Prizren, Qëndroni në Dardanë, do të jenë kryetarë të të gjithë qytetarëve e për të gjithë qytetarët, pa dallim moshe e gjinie, pa dallim feje, etnie e partie, pa dallim prejardhjeje e pasurie. Në këto tri komuna do të qeverisim gjithnjë me qytetarin në mendje e të cilin përgjithmonë e duam me zemër. Edhe një herë urime, me shumë dashuri’, ka shkruar ai.