Arbëri

LDK po i shqyrton hapat e mëtejmë pas vendimit të Supremes për mos-rinumërim në Prishtinë

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se për vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me kërkesën për rinumërim të votave në Prishtinë ka marrë vesh përmes mediave.

Kjo parti thotë se janë duke shqyrtuar hapat që do të ndjekin më tej për të zbardhur të vërtetën në kutitë e votimit.

“Jemi të vendosur të ndjekim të gjitha rrugët ligjore për të realizuar të drejtën tonë”, ka thënë LDK përmes një komunikate për media.

“Askush nuk duhet të ketë frikë nga rinumërimi i votave. Qytetarët e Kryeqytetit meritojnë të dinë të vërtetën në mënyrë që në katër vitet e ardhshme të udhëhiqen nga një kryetar legjitim dhe të pakontestuar nga askush”, thotë më tej kjo parti.

LDK i fton të gjitha palët e përfshira në menaxhimin e procesit zgjedhor të bëjnë punën e tyre në përputhje me ligjin dhe të sigurojnë një proces transparent, të besueshëm dhe të pa kontestueshëm.

Kujtojmë se sot, Gjykata Supreme e Kosovës ka pranuar si të bazuar ankesën e Vetëvendosjes për të mos shkuar në rinumërim në Komunën e Prishtinës dhe në atë të Prizrenit pas kërkesave të parashtruara në PZAP nga LDK për Prishtinë dhe PDK për Prizren.