Arbëri

Dështoi seanca e Kuvendit, vëmendjen e mori arrestimi i deputetëve

Zyra e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës u shndërrua për disa minuta në hapësirë ku ofrohej ndihma e parë.

Deputetëve që e kundërshtuan arrestimin e Albin Kurtit, Donika Kadajt e Albulena Haxhiut, pas përplasjes me policinë, iu desh ndihma mjekësore.

Vetëvendosje këtë e quan sulm ndaj lëvizjes, derisa thotë se deputetët u penguan për të kryer punën e tyre si të zgjedhur të popullit.

Ndërkaq, kryeministri ka thënë se ndien keqardhje për arrestimin e deputetëve të Vetëvendosjes, por thotë se duhet të bëhet dallimi mes kundërshtimit politik e atij ligjor.

Pos deputetëve të lëvizjes, punë me drejtësinë këtë të premte pati edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, por thotë se ajo bashkëpunoi me autoritetet.

Për LDK-në, vendit nuk i duhen pamje të tilla ndërsa i bën thirrje secilit të bashkëpunojë me drejtësinë. Krejt këto deklarata u bënë pas dështimit të seancës plenare në mungesë kuorumi.

Përpos Vetëvendosjes që nuk erdhi fare në sallë, më vonë nga aty doli edhe LDK-ja.

Pa opozitën, krejt çka arriti të bëhej në Kuvend ishin disa pyetje parlamentare.

Kur nisi shqyrtimi i projektligjeve të parapara me rend dite, seanca u ndërpre.