Arbëri

EULEX-i mbështet fushatën “16 ditë aktivizëm kundër dhunës në baza gjinore”

Prishtinë, 24 nëntor - EULEX-i përmes një komunikate për media ka shprehur mbështetjen e plotë për fushatën “16 ditë aktivizëm kundër dhunës në baza gjinore” e udhëhequr nga organizata UN Women, që fillon nesër më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës kundër Grave.

Fushata organizohet çdo vit prej 25 nëntor deri më 10 dhjetor, Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, me qëllim të nxitjes së veprimeve për t’i dhënë fund dhunës kundër grave dhe vajzave në mbarë botën.

“Kjo fushatë është tejet e rëndësishme për shumë arsye, ngase dhuna kundër grave dhe vajzave është fenomen i përhapur në masë globale që i prekë miliona gra dhe femra për çdo vit,” tha Shefja e Misionit EULEX Alexandra Papadopoulou.

Statistikat globale të Organizatës Botërore për Shëndetësi tregojnë se një nga tri gra përjeton formë të caktuar të dhunës gjatë jetës së tyre. Slogani i fushatës për këtë vit është “Të mos e lëmë askënd prapa: Luftoje dhunën kundër grave dhe vajzave” – në përputhje me parimet e Agjendës transformative 2030 për zhvillim të qëndrueshëm.

“Çelësi për parandalimin e dhunës kundër grave është angazhimi për qasje efektive në drejtësi për rastet e dhunës në baza gjinore, prandaj në këtë angazhim ne nuk duhet t’i harrojmë gratë dhe vajzat më të rrezikuara. Ligjet dhe sistemi i drejtësisë duhet të zbatohen njësoj për të gjithë, pavarësisht përkatësisë gjinore, orientimit seksual, përkatësisë etnike apo çfarëdo faktori tjetër social, prandaj ky sistem nuk duhet të lë prapa askënd,” theksoi zj. Papadopoulou.

Gjatë viteve të kaluara, në kuadër të mandatit të tij për fuqizimin e autoriteteve gjyqësore të Kosovës dhe agjencive kosovare për zbatimin e ligjit, EULEX-i është përqendruar në vlerësimin e bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe Prokurorive, si dhe reagimeve të tyre ndaj dhunës në familje, me theks të veçantë në krijimin e një qasjeje hetimore ku viktima është në plan të parë, si dhe në identifikimin, mbledhjen dhe shfrytëzimin e provave forenzike gjatë hetimit të rasteve të dhunës seksuale.

“Hetimet penale të rasteve të dhunës në baza gjinore duhet të bëhen më efikase, në veçanti sa i përket bashkërendimit në mes të palëve të ndryshme. Njëkohësisht, Kosova duhet të angazhohet që ta harmonizojë kornizën ligjore të saj me standardet ndërkombëtare të përcaktuara në Konventën e Stambollit, ” shtoi zj. Papadopoulou.

Përmes nënshkrimit të Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës kundër Grave dhe Dhunës në Familje, e ashtu quajtur Konventa e Stambollit, në qershor të vitit 2017, BE-ja e ri-konfirmoi rolin e saj udhëheqës për t’i dhënë fund dhunës kundër grave dhe për luftimin e të gjitha formave të diskriminimit në baza gjinore.