Arbëri

Ende s’ka asnjë aktakuzë të paraqitur nga Specialja, thotë Trandafilova

Asnjë aktakuzë ende nuk është paraqitur në Gjykatën Speciale nga Prokurori Special.

Konfirmimin e ka dhënë kryetarja e Dhomave të Specializuara për Kosovën, Ekaterina Trendafilova.

Ajo ka marrë pjesë në një sesion informativ me shoqërinë civile në Prishtinë.

Trendafilova ka thënë se suksesi i tyre nuk do të matet me sa njerëz dënohen ose lirohen por nëse kushdo që ka punë me Gjykatën atëherë të respektohet dhe të mos shkelen të drejtat e të përfshirëve.

“Ne duam të sigurojmë se Dhomat e Specializuara të shihen si simbol i pavarësisë, paanësisë dhe drejtësisë, që ne nuk do të ndikohemi, nuk do të ketë asnjë ndërhyrje në punën tonë dhe asnjë agjendë politike. Drejtësia nuk shkon me politikën dhe nëse dikush mendon se kjo mund të arrihet, atëherë duhet ta dijë se gjyqtarët e Dhomave të Specializuara nuk janë adresa për këtë. Ne do të jemi mbrojtje e pastër për dëshmitarët, viktimat dhe për të drejtat themelore të të akuzuarve”, ka thënë Trendafilova.

Ajo ka folur kryesisht për kronologjinë se si ka ardhur deri këtu puna e Gjykatës.

Gjyqtarja që vjen nga Bullgaria ka thënë se është e nderuar për pozitën që ka dhe është e vetëdijshme për përgjegjësinë që ka.

E pyetur për dëshmitarët apo viktimat, nëse ata janë kontaktuar, kryetarja ka thënë se në fakt kjo është punë e Prokurorisë.

Por, ka qartësuar se mbrojtja e dëshmitarëve do të vazhdoj edhe pas përfundimit të gjykimeve në të cilat ata mund të përfshihen.

Trendafilova ka pranuar se është e vështirë të mblidhen dëshmi pas kaq shumë viteve por ka treguar se do të përdoren edhe dëshmi të mbledhura nga Tribunali i Hagës dhe EULEX-i.

“Çdokush që është shtetas i Kosovës ose Ish-Jugosllavisë mund të mbahet përgjegjës nëse ka kryer krime kundër njerëzimit dhe krime kundër luftës, të cilat bien në juridiksionin kohor dhe territorial. Gjithashtu, ata të cilët kanë kryer krime kundër qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Ish-Jugosllavisë, do të mbahen përgjegjës. Kjo qartëson gjithçka, pra nuk ka target të një grupi apo organizate dhe asnjë grup i veçantë etnik nuk është target i hetimit”, ka thënë ajo.

Trendafilova nuk është përgjigjur në pyetje pse nuk ka takuar Presidentin ose kryeparlamentarin, të cilët mund të shihen si të akuzuar potencial.

Administratorja e Dhomave të Specializuara ka treguar që kur gjykimet të nisin do të transmetohen në uebfaqen e tyre dhe të gjitha dokumentet do të publikohen në tri gjuhë.

Kjo ka qenë ngjarja e vetme publike e kryetares së Dhomave të Specializuara në vizitën e saj të parë në Kosovë.