Arbëri

Prodhuesit duan siguri për furnizim me energji

Sot u mbajt konferenca “Furnizimi me energji i sektorit të prodhimit në Kosovë: Energjia e ripërtërishme?”, e organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës në bashkëpunim me projektin e USAID-it EMPOWER Sektori Privat ne partneritet me SIDA dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Një nga faktorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të vendit dhe forcimit të sektorit të prodhimit është siguria e furnizimit me energji elektrike. Duke pasur parasysh që zhvillimi i një sistemi të qëndrueshëm të energjisë kërkon kohë, vendimet e drejta për të ardhmen e sektorit të energjisë duhet të merren shumë më herët.

Problemi i furnizimit me energji elektrike është shumë i pranishëm në prodhimin vendor. Furnizimi i dobët dhe i parregullt, ndërprerjet e shpeshta ndikojnë seriozisht në konkurrueshmërinë e sektorit prodhues. Rrjedhimisht, në konferencë u diskutua për energjinë e ripërtërishme, si një mënyrë e zgjidhjes së problemit të furnizimit me energji për sektorin e prodhimit.

Panelistë në këtë konferencë ishin kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, Valdrin Lluka - ministër i Zhvillimit Ekonomik, Luigi Brusa - udhëheqës i Seksionit për Bashkëpunim- Zyra e BE-së, Anes Jusic - Sektori për Energji, Zyra Qendrore- BERZH, si dhe Astrit Shabani- kryetar i Klubit të Prodhuesve të Kosovës.

Konferencën e hapi drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha i cili vlerësoi se situata është mjaft kritike. Sipas analizave, tha ai, del se humbjet vjetore të prodhuesve vendorë si rrjedhojë e ndërprerjes së energjisë elektrike apo cilësisë së dobët të energjisë, janë rreth 300 milion euro.

i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në fjalën e tij foli për angazhimet e Qeverisë së Kosovës për të zhvilluar dhe fuqizuar më tej sektorin privat në Kosovë. Ai cilësoi se Kosova ka emergjencë për rritjen e kapaciteteve të ripërtërishme gjeneruese dhe mirëmbajtjen e atyre ekzistuese.

Pjesë e panelit ishte edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka. Ai shprehu gatishmërinë për përmirësimin e situatës aktuale dhe bëri të ditur që prej vitit të ardhshëm do të miratohet ligji për efiçiencë të energjisë.

Luigi Brusa - udhëheqës i Seksionit për Bashkëpunim nga Zyra e BE-së bëri të ditur se Kosova është në rrugë të drejtë të krijimit të Strategjisë për Energji të qëndrueshme mirëpo theksoi nevojën për transparencë përgjatë këtij rrugëtimi, ndërsa Anes Jusic, përfaqësues nga BERZH, u shpreh që sfidat në këtë proces janë të mëdha, por kemi plane dhe ide konkrete që të përkrahim sektorin privat që më në fund vendi të shoh investime në energjinë efiçiente. Ai u shpreh se Qeveria duhet të jep sinjale të qarta për marrjen përsipër të një pjese të investimeve.

Gjatë konferencës përfaqësuesit e bizneseve patën rastin që t’i shprehin shqetësimet rreth zhvillimit të aktiviteteve të tyre biznesore, ku theksuan që mungesa e energjisë elektrike vazhdon të jetë një ndër barrierat kryesore për bizneset në Kosovë. Sfida të tjera që u përmenden janë investimi në energji të qëndrueshme, ulja e tarifave si dhe kërkuan anashkalimin e humbjeve në energji. Ata po ashtu u shprehën të gatshëm që të në të ardhmen të investojnë më shumë në energjinë e ripërtërishme.