Arbëri

Qeveria s’e procedon në Kuvend ligjin për FSK-në

Pesëmbëdhjetë projektligje të parapara me programin legjislativ, të votuara në qeveri në fillim të mandatit të Haradinajt, janë tërhequr me vendim të ekzekutivit në fillim të këtij muaji.

Por, megjithatë kjo nuk ka zbutur ngarkesën që do ta kenë seancat plenare të stërngarkuara me pika, për shkak të pauzave të gjata që ka bërë Kuvendi gjatë fushatës zgjedhore, raporton KTV.

Vetëm të enjten, Kuvendi do t’i diskutojë 23 pika të rendit të ditës.

Me agjendën legjislative, qeveria kishte paraparë 88 projektligje. 30 nëntori, me këtë program legjislativ, është ndarë për projektligjin për Forcat e Armatosura të Kosovës, që të shqyrtohet në Kuvend, por kjo zor që mund të ndodhë.

Burim Ramadani nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë thotë se më shumë duhet të shihet siguria e procesit sesa koha se kur ndodh.

KTV-ja ka pyetur edhe Qeverinë e Kosovës nëse FAK-u do të jetë për diskutim në Kuvend më 30 nëntor, por zyrtarë të ekzekutivit nuk kanë kthyer përgjigje.