Arbëri

Prifti që akuzohet për përdhunim të nxënësve tregon pse iku drejt Kosovës

Një prift që kishte ikur nga Britania e Madhe drejt Kosovës pasi akuzohej për abuzim me djem të rinj është paraqitur para një gjykate ku ka thënë se largimi ishte për shkak të “frikës dhe budallallëkut”.

Laurence Soper, 74-vjeçar akuzohet për 19 raste të ngacmimeve seksuale ndaj djemve në shkollën St. Benedict në Ealing, ku jepte mësim. Soper ishte kthyer në Angli në majin e vitit 2016 pas pesë vjet ndjekje në Kosovë, transmeton Koha.net.

Dhjetë nxënës kishin akuzuar për ngacmim seksual priftin për periudhën mes viteve 70 dhe 80. Ata e akuzojnë priftin për dhunim, prekje seksuale dhe rrahje me thupër.

Ai ishte arrestuar më 2010 por ishte liruar pasi kishte paguar dorëzani, megjithatë nuk ishte kthyer kurrë në stacionin policor të Londrës në mars të vitit 2011. Një urdhërarrest evropian ishte lëshuar për të në vitin 2012.

Soper tani thotë se “jeta e tij është shkatërruar totalisht”. Ai insiston se nuk iku drejt Kosovës për shkak se ishte fajtor.

“Budallallëku, frika ime dhe turpi luajtën rol të madh. Nëse dëshironi të shkatërroni një prift apo këdo tjetër vetëm duhet të bëni një akuzë kundër tyre. E ardhmja e tyre shkatërrohet, karakteri u shkatërrohet”, ka thënë ai, shkruan BBC.

Soper ka thënë se ishte rrahur disa herë me thupër teksa ishte si nxënës në të njëjtën shkollë.

“Nuk ishte diçka e pazakontë që të dëgjosh se djemtë rriheshin me thupër dhe pa rroba”, ka thënë ai.

Ai në fund ka mohuar të gjitha akuzat ndaj tij, ndërsa gjykimi do të vazhdojë.