Arbëri

Ministri Pacolli pjesë e ministralit të OBI në Stamboll, mundësi për lobim

Stamboll, 22 nëntor - Me ftesë të Qeverisë së Republikës së Turqisë, zëvendësryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, po merr pjesë dhe po e përfaqëson Republikën e Kosovës në sesionin e 33-të të COMCEC-ut, organit ekonomik dhe bashkëpunimit tregtarë të shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, që po i zhvillon punimet e saj në Stamboll, u bë e njoftuar nga kabineti i tij.

Në sesionin e pasdites, ministri i Jashtëm, Pacolli, do t’i adresohet edhe më një fjalim sesionit ministror të njëzet e katër ministrave të ekonomisë dhe punëve të jashtme të shteteve anëtarë të kësaj organizate,të pranishëm në këtë takim.

Pjesëmarrja e ministrit të Jashtëm, Pacolli, në këtë ministral, është konceptuar si mundësi për të forcuar marrëdhëniet me vendet e kësaj organizate, që tashmë e kanë njohur vendin tonë dhe njëkohësisht për të lobuar tek ato që ende nuk e kanë marrë këtë vendim.

Image

Në margjina të këtij ministrali ai është takuar me disa delegacione dhe përfaqësues të nivelit të lartë të shteteve njohëse dhe jonjohëse të Republikës së Kosovës.

Organizata e Bashkëpunimit Islamik përbëhet nga 57 shtete anëtare, prej të cilëve 36 shtete e kanë njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.