Arbëri

Sqaron Policia: Nuk kemi bastisur as Kurtin as Kadaj-Bujupin

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot nuk ka bastisur banesat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi.

Në një sqarim të publikuar, Policia ka njoftuar se vetëm ka respektuar urdhëresën e përsëritur të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 13 tetor për sjelle me detyrim të dy deputetëve të VV-së në seancën e 22 nëntorit, transmeton Koha.net.

“Ndërlidhur me veprimet policore konfirmojmë se në asnjërin prej të dyja rasteve policia nuk ka rrethuar lokacione dhe nuk ka bastisur asnjë adresë banimi, andaj pretendimet e disa qarqeve informative për bastisje dhe rrethim të ndonjë vendbanimi janë të pavërteta dhe si të tilla mbesin në suazat e spekulimeve”, ka sqaruar Policia lidhur me raportimet për bastisje të banesave të deputetëve të VV-së.

“Konform detyrimit ligjor, autorizimeve të saja si dhe përgjegjësisë për ta realizuar urdhëresën sipas përmbajtjes së saj, policia ka dërguar njësinë patrulluese në adresat e dhëna nga Gjykata për të kontaktuar me personat në fjalë, por të njëjtit nuk janë gjetur në adresat e tyre, si dhe nuk ka qenë e mundur të kontaktohen përmes formave të tjera të kontaktit”, ka sqaruar Policia e Kosovës.

“Përkitazi me këtë, policia ka njoftuar Gjykatën Themelore për veprimet e saj dhe mos gjetjen e personave në adresat e tyre përpara fillimit të seancës”, thuhet në sqarimin e Policisë.