Arbëri

Policia ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës për Kurtin

Policia e Kosovës vetëm ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë që është lëshuar më 13 tetor që Albin Kurti të dërgohet në seancën e 22 tetorit.

Por e njëjta nuk ka mundur të realizohet pasi që Kurti nuk gjendej në banesën e tij afër Parkut të Qytetit.

“Konform detyrimit ligjor dhe përgjegjësisë për ta realizuar këtë urdhëresë Policia ka dërguar një njësi- patrulle policore për ta kërkuar personin ne adresat dhe detajet e tjera të dhëna, por nuk ka hasur në të’”, tha për KosovaPress zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës Agron Borovci.

Sipas Borovcit, Policia do të njoftojë Gjykatën përpara fillimit të seancës dhe më pastaj mbeten në kompetencën e Gjykatës veprimet e mëtejme.

Ndryshe seanca për deputetët e Vetëvendosjes që akuzohen për hudhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës është shtyrë pasi që Kurti, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu nuk janë paraqitur në gjykatë.

Në seancë gjyqtari Beqir Kalludra ka lëshuar urdhër për t’i arrestuar Kurtin, Kadajn-Bujupin dhe Haxhiun.